Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dje në Riga ka vizituar Qendrën Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik, një institucion kyç në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe në mbrojtje të integritetit të informacionit.
Osmani tha se aty ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike dhe komunikim strategjik.
“Kosova është dhe do të mbetet një aleate e besueshme në mbrojtje të vlerave demokratike. Dje, në Riga, vizitova Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Komunikim Strategjik (STRATCOM)– një institucion kyç në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe në mbrojtje të integritetit të informacionit. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në ndërtimin e kapaciteteve në siguri kibernetike dhe komunikim strategjik, si pjesë e përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në NATO. Vazhduam tutje me një diskutim në Shtëpinë e Evropës bashkë me gra lidere dhe aktiviste në Letoni për të ndarë me to rrugëtimin e Kosovës si vend që ka përjetuar luftën, por që sot avancon përpara me gratë në qendër të çdo procesi demokratik dhe të sigurisë. Vizitën e përmbyllëm në Muzeun e Okupimit të Letonisë si një moment reflektimi të thellë mbi historinë e përbashkët të qëndresës ndaj pushtimit dhe padrejtësisë. Si Kosova, ashtu edhe Letonia, mbijetuan përmes rezistencës dhe krenarisë kombëtare. Kujtesa kolektive është forca jonë – për të mos harruar të kaluarën e lavdishme dhe për të ndërtuar një të ardhme të drejtë e të sigurt”, ka shkruar Osmani në Facebook.