Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka bërë një thirrje ndaj spektrit politik në vend për të gjetur gjuhën e përbashkët dhe për të mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Kjo deklaratë u bë gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Francës në Prishtinë me rastin e Festës Kombëtare Franceze më 14 korrik.
“Më lejoni që me respektin më të madh, t’u bëj thirrje të gjitha forcave politike kosovare, pa përjashtim, t’i inkurajoj ato të demonstrojnë një frymë kompromisi dhe të arrijnë konstituimin e kuvendit dhe një qeverie të mbështetur nga ky kuvend”, tha ambasadori në fjalën e tij.
Ai theksoi se situata aktuale politike po pengon nënshkrimin dhe ratifikimin e projekteve ambicioze që janë planifikuar në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim. Ambasadori vuri theksin edhe te rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës në të gjitha fushat.
“Franca ka qenë, është dhe do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës në të gjithë diversitetin e saj dhe me të gjitha komunitetet që përbëjnë shoqërinë kosovare”, u shpreh ambasadori Olivier Guerot.