Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > IPK rekomandon suspendimin e katër policëve në dy raste të ndara

IPK rekomandon suspendimin e katër policëve në dy raste të ndara

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë, për shkak të veprimeve të tyre në dy raste të ndara.

Lidhur me rastin e parë fillimisht Policia e Kosovës kishte pranuar informacion mbrëmë (13.07.2025) për një incident në një fshat të Ferizajt  ku dyshohej se një i mitur ishte sulmuar dhe kanosur me armë nga një person  me rroba civile e që është prezantuar si zyrtar policor.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse më vonë personi i dyshuar është identifikuar si zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) dhe i njëjti është vet-paraqitur në stacion policor pas incidentit.”, thuhet në njoftim.

Rasti do të trajtohet si ‘lëndim i lehtë trupor’.

Në rastin tjetër, IPK në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin për tre zyrtarë policorë kurse incidenti ku dyshohet se janë të përfshirë si të dyshuar zyrtarët raportohet të ketë ndodhur para mesnatës më 30.06.2025  në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

“Hetimet lidhur me këtë rast ndaj tre zyrtarëve policorë  janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt  më dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.”, thuhet në njoftimin e IPK-së.