Pilotët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Afrim Zabeli, kapiten Atdhe Hasani dhe kapiten Krenar Voca, kanë përfunduar me sukses trajnimin rifreskues me helikopter në Shkollën e Aviacionit Tokësor në Isparta, Republikë e Turqisë.
Sipas njoftimit të FSK-së, ky trajnim i avancuar përfshinte jo vetëm përditësim teknik, por edhe përforcim të përgjegjësive të pilotëve në misionet e përditshme.
“Gjatë periudhës së trajnimit, pilotët zhvilluan aftësitë e tyre përmes fluturimeve praktike, duke u përballur me skenarë emergjentë dhe taktike, ndërsa patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja profesionale me homologët nga Forcat e Armatosura të Turqisë. Ky bashkëpunim është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme që Republika e Turqisë i jep Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar në ngritjen e kapaciteteve ajrore dhe forcimin e ndërveprueshmërisë me partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftim.