Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ATK prezantoi rezultatet e punës për 6-mujorin e parë të vitit 2025: Të hyra tatimore mbi 524.1 milionë euro, 11% më shumë se viti paraprak

ATK prezantoi rezultatet e punës për 6-mujorin e parë të vitit 2025: Të hyra tatimore mbi 524.1 milionë euro, 11% më shumë se viti paraprak

Administrata Tatimore e Kosovës sot ka mbajtur konferencë për media ku ka prezantuar të hyrat për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, shkruan TV Arbëria.

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, përmes kësaj konference ka bërë të ditur se të hyrat për periudhën janar/qershor 2025 janë 11% më shumë në raport me vitin paraprak.

“Administrata Tatimore e Kosovës edhe në këtë periudhë raportuese, sikurse edhe në 4 vitet e fundit, vazhdoi me ngritje të performancës pothuajse në të gjithë indikatorët matës. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 kemi inkasim të të hyrave tatimore mbi 524.1 milionë euro, që do të thotë se kemi rritur të hyrat mbi 51 milionë euro apo 11%, në raport me vitin paraprak”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i ATK-së.

Murtezaj ka njoftuar edhe për reformën e fiskalizimit e procesit të fiskalizimit, reformë kjo është e iniciuar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.

“Krahas rezultatit të shkëlqyer në rritje të të hyrave, ATK po vazhdon me reformim institucional. Për reformat që i kemi bërë viteve paraprake, publiku veç është i informuar, andaj sot dua të ju informoj për një reformë e cila është në proces dhe në fazën finale të fillimit të implementimit. Pra, fjala ishte për reformën në procesin e fiskalizimit. Kjo reformë është iniciuar nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Murati, dhe nën mbështetjen financiare të UNDP-së është zhvilluar moduli apo aplikacioni, i cili krijon një qasje të re të fiskalizimit, nga një qasje harduerike, në qasje softuerike. Për shkak të prezantimit do ju informoj për përparësitë dhe benefitet e kësaj reforme. Ky rezultat i të hyrave si dhe rezultatet që do t’i paraqesim sot nuk janë vetëm numra, ato janë pasqyrë e përpjekjes së vazhdueshme për të ndërtuar një administratë moderne, efikase dhe të besueshme”, ka thënë ndër të tjera Murtezaj.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, ka njoftuar se Administrata Tatimore e Kosovës, rezulton që nga 8 indikatorët matës, në 7 prej tyre të jetë shumë më mirë se vendet në zhvillim.

“Andaj sot, me krenari informoj juve dhe qytetarët e vendit tonë, se: bazuar në raportin e FMN-së të publikuar në janar të vitit 2025, sipas anketës ISORA e cila bën matjen e performancës së autoriteteve tatimore në gjithë botën, Kosova, gjegjësisht Administrata Tatimore e Kosovës, rezulton që nga 8 indikatorët matës, në 7 prej tyre të jetë shumë më mirë se vendet në zhvillim, pra përfshirë edhe vendet e Ballkanit, ndërsa në 5 nga 8 këta indikatorë, është te mesatarja apo mbi mesataren e vendeve të zhvilluara, përfshirë këtu vendet e BE-së”, ka njoftuar ATK-ja.

“Pra, bazuar në këtë raport të FMN-së, Administrata Tatimore e Kosovës për një periudhë kaq të shkurtër, arrin që të ngritet nga një administratë e brishtë dhe e krahasueshme vetëm me vendet në zhvillim, tanimë në një administratë moderne dhe e krahasueshme me vendet e zhvilluara, që siç e thashë ka qenë dhe ishte vizion i ATK-së.

Krahas rezultateve dhe progresit të shënuar, normalisht e pranojmë se kemi edhe sfida të shumta, e që më kryesoret do i veçoja, sfidën në avancimin e digjitalizimit të mëtejshëm institucional, si dhe sfidën me resurse humane. E që sfida me resurse humane është e ndarë në dy drejtime, si nga aspekti i rekrutimit të stafit të ri, poashtu edhe në ruajtjen e resurseve ekzistuese.

Gjithsesi, për këto sfida, jemi të bindur se përmes bashkëpunimit të ndershëm dhe vizionit të përbashkët, do të mund të avancojmë edhe më tej në përmbushjen e misionit tonë institucional.

Tani do të vazhdoj me prezantim në formë të shifrave dhe fakteve të rezultateve të arritura, objektivave që kemi realizuar, si dhe ato që mbeten ende në fokusin e punës tonë për vitin që vjen, dhe pas prezantimit, sipas interesimit të juaj mund të vazhdojmë me pyetjet e juaja dhe përgjigjet tona!”, tha ndër të tjera drejtori i përgjithshëm i ATK-së. /TV Arbëria