Analisti Afrim Kasolli, në një diskutim për zhvillimet politike në rajon në emisionin ARB Debat, ka krahasuar situatën aktuale në Kosovë dhe Serbi, duke theksuar se të dyja vendet ndodhen në bllokadë politike, por për arsye dhe forma të ndryshme.
“Edhe Kosova edhe Serbia janë në një lloj bllokade politike për arsye të ndryshme, duke u manifestuar në mënyra të ndryshme. Në Serbi për shkak të përkeqësimit me protesta të mosbindjes civile, mirëpo atje shteti po funksionon. Më tepër në planin shoqëror është kriza, ndërsa në Kosovë është e kundërta – institucionet shtetërore janë bllokuar politikisht”
“Kosova po vazhdon të penalizohet, vazhdon të jetë nën masa sanksionuese”
Sipas Kasollit, bllokada politike në Kosovë ka filluar të reflektohet seriozisht edhe në politikën e jashtme, sidomos në raport me Bashkimin Evropian dhe organizatat financiare ndërkombëtare.
“Kjo vërehet edhe në aspektin diplomatik. Kosova po vazhdon të penalizohet, vazhdon të jetë nën masa sanksionuese. BE e ka bërë të qartë se pa krijim të një qeverie, as që do të diskutohet kjo punë”
Kasolli paralajmëron pasoja konkrete financiare për Kosovën, për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit dhe mungesës së vendimmarrjes në nivel shtetëror.
“Sa i përket rrezikut të humbjes së fondeve nga Banka Botërore, për shkak të mosmiratimit të marrëveshjes me Bankën Botërore në Kuvendin e Kosovës, të fondeve të planit për rritjen për Ballkanin Perëndimor të BE-së, Kosova është e vetmja”
Ai përfundon se përplasjet e brendshme politike nuk po mbesin pa pasoja dhe po e izolojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
“Kështu që në planin ndërkombëtar, kjo më shumë po i kthehet në bumerang Kosovës kjo bllokadë”
Sipas Kasollit kjo duhej të ishte e kundërta, ku Kosova do të duhej ta shfrytëzonte momentumin në të cilin ndodhet Serbia, në favor të saj. /TVARBËRIA/