Sot 33 vjet më parë, pas mesnatës së 6 korrikut dhe fillimit të ditës së 7 korrikut të vitit 1992, ishte ditë e martë kur u krye aksioni i parë gueril i organizuar në Republikën e Kosovës kundër forcave policore serbe.
Ky aksion u zhvillua me urdhër të komandantit legjendar, Adem Jashari.
Lidhur me këtë, në “Kosova Today” ka folur Gani Geci, i cili ishte vetë pjesëmarrës në këtë aksion.
“Natën takoheshim me Adem Jasharin, takoheshim me shokë, para kësaj date merrnim pjesë në protesta e demonstrata në vitet 1990-91, por në këtë datë është interesant që ne nuk i kemi treguar askujt hiç. Tri javë më herët kemi shkuar edhe një herë për të vrarë policinë serbe, dhe aty ishim së bashku me vëllanë tim, Nebih Geci”, tha Geci.