Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kanë kërkuar që të ndërmirren masa, pasi sipas tyre temperaturat e larta dhe mosfunksionimi i sistemi të ftohjes e ka bërë të pamundur vijimësinë e punës.
“Për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, temperaturat brenda zyrave të këtyre prokurorive po arrijnë nivele mbi 35°C, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punës dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve”, thuhet në një reagim.
KPK dhe ZKPSH u ka bërë thirrje Kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë që, në kuadër të kompetencave të tyre, të marrin masa, përfshirë edhe reduktimin e orarit të punës, deri në përmirësimin e kushteve.
“KPK dhe ZKPSH, gjithashtu informojnë opinionin se kërkesat e përsëritura për ndërhyrje dhe rregullim të sistemit të ftohjes nuk kanë marrë përgjigje për vite me radhë, ndonëse objekti i Pallatit të Drejtësisë është nën menaxhimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila ka përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e këtij objekti”, njoftohet tutje.