Të paktën 78 njerëz janë konfirmuar të vdekur në pjesën qendrore të Teksasit dhe 41 të tjerë janë të zhdukur pas vërshimeve të shpejta të së premtes.
Gjashtëdhjetë e tetë raste fatale, përfshirë 28 fëmjë, u shënuan në distriktin Kerr, ndërsa dhjetë vajza dhe një këshillues nga Kampi Mistik janë ende të zhdukur, raporton televizioni BBC.
Zyrtarët thonë se numri i përgjithshëm i viktimave me siguri se do të rritet. Më shumë stuhi priten në 24 deri 48 orët e ardhshme në rajon dhe ato mund t’i pengojnë ekipet e shpëtimit, të cilat tashmë po ballafaqohen me gjarpërinj helmues, baltë e mbetje të tjera.
Guvernator i Teksasit, Greg Abbott, tha të dielën se autoritetet “nuk do të ndalen në asgjë” për t’u siguruar që secili person i zhdukur të gjendet.
“Nuk ishte asgjë më pak se e tmerrshme që të shihje se nëpër çfarë kishin kaluar ata fëmijë të vegjël” – tha ai, një ditë pasi e vizitoi zonën e prekur nga vërshimet.
Presidenti amerikan, Donald Trump, të dielën e nënshkroi shpalljen e fatkeqësisë për distriktin Kerr, duke e aktivizuar Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Teksas. Ai tha se ndoshta do ta vizitojë shtetin jugor amerikan të premten.