Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në një takim deputetët e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Martin Vickers dhe Paul Foster, njëherësh përfaqësues të grupeve të miqësisë me Kosovën në parlamentin britanik.
Mënyrat e thellimit të bashkëpunimit shtetëror dhe forcimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës, ishin disa nga temat e diskutimit.
“Presidentja Osmani i falënderoi deputetët Vickers dhe Foster për angazhimin e tyre të palëkundur në mbështetje të Republikës së Kosovës dhe theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të partneritetit ndërmjet dy vendeve.
Deputeti Martin Vickers, i cili është Kryetar i Grupit Ndërpartiak për Kosovën dhe Shqipërinë (All-Party Parliamentary Group for Kosovo and Albania), dhe deputeti Paul Foster, Nënkryetar Ekzekutiv i “Labour Friends of Kosovo”, riafirmuan mbështetjen e tyre të fuqishme për popullin dhe shtetin e Kosovës”, thuhet në një komunikatë.