Shkruan: Afrim Kasolli
Se politika serbe e ka të vështirë të distancohet nga mentaliteti i saj paramilitar e dëshmon fakti i emërimit si kryetar i bordit të Teatrit Kombëtar në këtë shtet i Dragoslav Bokan-it, nga pushteti i Aleksandar Vuçiq-it.
Ky akt është kritikuar për shkak të faktit, se Dragoslav Bokan ka qenë njëri nga komandantët themelues të grupit paramilitar “Shqiponjat e Bardha” (White Eagles), shkruan mediumi i njohur“The Guardian”.
Siç dihet këto njësi kanë qenë të involvuara në planifikimin dhe ekzekutimin e krimeve masive dhe masakrave etnike, gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Shumëkush këtë emërim e ka cilësuar si pjesë e planeve të regjimit në Serbi për ta vazhduar traditën e manipulimit me sentimentet nacionaliste, dhe atë sidomos në një kohë, kur ai po përballet me protesta masive qytetare. Megjithatë, fakti se pse natyra e emërimeve të tilla mund të përdoret si mjet për sigurimin e pushtetit tregon për paaftësinë e politikës serbe për pendesë dhe katarsis moral. Për më shumë, ajo i shpërblen me pozita drejtuese kulturore pikërisht ata kanë qenë përgjegjës për tragjeditë e shkaktuara ndaj popujve tjerë në hapësirën ish-jugosllave.
Mirëpo, nga ky sindrom ,siç po dëshmohet dita ditës, nuk po mund të çlirohen edhe ata që janë angazhuar për “demokratizimin”e Serbisë. Protestat studentore që patën filluar me motive kundër korrupsionit e modelit autokratik qeverisës të partisë aktuale në pushtet, kohen e fundit gjithnjë e më shumë po shndërrohen në karnavale nacionaliste. Në protestën e fundit të mbajtur në Beograd, ndër parullat dhe brohoritjet kryesore të turmave ishin ato “Kosova është zemra e Serbisë”. Kurse njëri nga folësit kryesor në këtë ngjarje, siç raporton mediumi Evropa e Lirë, ishte edhe ishte profesori universitar, Millo Llompar, i njohur për qëndrimet e tij të krahut të djathtë, i cili së fundmi ka marrë vëmendje për pjesëmarrjen në promovimin e një libri të Radovan Karaxhiqit, i dënuar për krime lufte. Me këtë rast ai ka shtuar se “në Kushtetutën e Serbisë, Kosova dhe Metohia janë pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”. Në mbështetje të protestave “demokratike” studentore po ashtu janë vënë edhe pjesëmarrës në luftërat në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.
Në këtë drejtim,jeta politike në Serbi po e vazhdon thuajse të njëjtin avaz. Ku konkurrenca dhe beteja brenda asaj shoqërie zhvillohet se kush po e dëshmon veten më shumë apologjet të miteve nacional –hegjemoniste. /TV Arbëria