Rritja e mëtejme e bashkëpunimit për zhvillimin ekonomik në vend, ishte tema e takimit të sotëm të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Këshillin Evropian të Investitorëve (European Investors Council).
Reformat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për përmirësimin e mjedisit të investimeve dhe të të bërit biznes në Kosovë, si dhe për rritjen e punësimit, u theksuan nga kryeministri Kurti.
Bëhet e ditur se ai potencoi se World Justice Project e ka renditur Republikën e Kosovës në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për nga sundimi i ligjit dhe në vendin e dytë në botë për përmirësimin më të madh në sundimin e ligjit.
“Duke theksuar rritjen e pashembullt ekonomike të Kosovës (10.7 %), e cila është më e larta në rajon dhe më e madhja që nga paslufta e Kosovës, si dhe rritjen e GDP-së, kryeministri i falënderoi investitorët për kontributin e dhënë në këtë rritje”, thuhet në komunikatë për media.
Në këtë bashkëbisedim u veçuan reformat legjislative, si dhe zgjidhjet konkrete për tërheqjen e investimeve.
Po ashtu, bëhet e ditur se në takimin e përbashkët me drejtorin Ekzekutiv të Këshillit Evropian të Investitorëve (EIC), Emrush Ujkani dhe përfaqësues të EIC u theksua se dialogu i hapur, konstruktiv dhe i qëndrueshëm ndërmjet institucioneve dhe investitorëve, do të kontribuojë në përmirësimin e mjedisit të investimeve në Kosovë dhe rritjen e investimeve të huaja direkte.
Në Këshillin Evropian të Investitorëve, anëtarë nderi janë Zyra e BE-së në Kosovë, BERZH dhe Banka Evropiane e Investimeve (Luksemburg), si dhe ndërmarrjet e kompanitë evropiane nga industria bankare, telekomunikacioni, sigurimet, industria automotive, industria plastike, shoqëritë audituese, industria farmaceutike, industria e energjisë, tekstilit dhe industria e transportit. /TV Arbëria