Pas fitores 3-2 ndaj Serbisë, entuziazmi rreth Granit Xhakës e tejkaloi hyrjen në 1/8 e finales për Zvicrën, por njeriu tjetër që dha kontribut të madh në atë ndeshje ishte Xherdan Shaqiri i cili edhe realizoi golin e parë për Zvicrën në atë takim.
Në ndeshjen e tij të 111-të, Shaqiri vendosi disa rekorde. Ai bëhet rekordmeni i Kupës së Botës dhe është zvicerani i parë që shënon në tre Kupa Botërore radhazi.
Që nga viti 2014 vetëm ai, Ronaldo dhe Messi kanë shënuar të paktën një gol në çdo turne, gjë kjo e cila e bënë shumë të lumtur ish-sulmuesin e Interit.
“Të jesh në një listë me emra të tillë është shumë e veçantë. Ata janë më të mirët në botë”, thotë Shaqiri për gazetën “Blick”.
Ndeshja ndaj Serbisë ishte e veçantë dhe Shaqiri e pranon se kishte shumë emocione.
“Por unë e dija që nga viti 2018 se çfarë po prisja. Kisha shumë emocione të përfshira, por unë isha i përqendruar në performancën time”, shtoi ai.
Ai më pas pranon se nuk ishte i kënaqur me vendimin e trajnerit Murat Yakkin për të zëvendësuar pasi dëshironte ta shënonte edhe një tjetër gol.
“Nuk isha i kënaqur, i thashë trajnerit, por e pranoj vendimin e tij. Doja të shënoja edhe një gol dhe të fitoja grupin”, theksoi Shaqiri.
Në fund ai foli edhe për përballjen me Portugalinë e Cristiano Ronaldos.
“Ne kemi dëshmuar se mund t’u shkaktojmë shumë probleme. Gjithçka është e mundur në një Botëror, në një lojë, siç tregoi loja e Argjentinës, kur Australia pothuajse barazoi pak para fundit. Nëse të gjithë shkojmë përtej kufijve tanë, ne mund të krijojmë shumë probleme për çdo kundërshtar.”, tha në fund Shaqiri.
Zvicra do të ballafaqohet me Portugalinë më 6 dhjetor nga ora 20:00. /TV Arbëria