Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Federatat të pakënaqura me draftin, MKRS thotë se vërejtjet do të merren parasysh

Federatat të pakënaqura me draftin, MKRS thotë se vërejtjet do të merren parasysh

Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport që nga data 14 nëntor ka vendosur në konsultim publik draftin e parë të rregullores për kategorizimin e sport.Përmes kësaj rregulloreje synohet poentimi i federatave bazuar në masovitetin, rezultatet dhe sukseset e tyre.

Një numër i madh i federatave nuk janë të kënaqura me draftin e parë të hartuar nga ministria dhe tashmë kanë paraqitur vërejtjet e tyre pranë kësaj ministrie.

Vërejtjet e federatave i ka konfirmuar edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ka deklaruar se janë duke bashkëpunuar ngusht me ministrinë në mënyrë që vërejtjet e tyre të merren parasysh.

“Është duke u bërë një ligj i ri, rregullore të reja, ne jemi në bashkëpunim të plotë me Minsitrinë për Kulturë, Rini dhe Sport. Një draft është punuar deri më tani, ne si Komitet Olimpik, duke u bazuar gjithmonë te federatat me të cilat kemi kontakt të vazhdueshëm i kemi propozuar disa ndryshime të vogla të cilat janë pranuar nga minstria dhe besoj që në fund do të jetë përfundimtarja në interes të të gjithëve dhe në përgjithësi të sportit të Kosovës…Të gjitha federatat janë në dijeni me të gjitha ndryshimet dhe ne i marrim për bazë të gjitha propozimet të cilat janë nga federatat.”, tha Krasniqi.

Pakënaqësi rreth këtij drafti është konfirmuar se ka edhe brenda federatës më të suksesshne në vend, atë të xhudos.Duke mos dashur të jap detaje, trajneri Driton Kuka ka thënë se tashmë i kanë dhënë vërejtjet e tyre dhe se po presin që të takohen me njerëz kompetent të këtij procesi.
“Vërejtjet i kemi dhënë me shkrim ne si federat dhe po ashtu do të kemi takime me njerëz kompetent. Për momentin nuk kam çfarë të flas më shumë. Të shohim si do të vendoset më tutje.”, ka thënë Kuka

Nga Ministria e Sportit thonë se ky proces po bëhet për federatat dhe do të realizohet bashkë me to. Zëvendësministrja, Daulina Osmani ka thënë se vërejtjet do të merren parasysh, por ato duhet të kenë bazë ligjore.
Osmani: Vërejtjet e federatave do të merren parasysh vetëm nëse kanë bazë ligjore

“Sporti vendor sikur edhe në çdo vend tjetër të botës i ka dy shtylla. E ka shtyllen qeveritare që në Kosovë u bie institucionet publike të cilat udhëheqin me sportin, Ministria e Kulturës, por normalisht edhe departamentet e sporteve në nivel komunal dhe pastaj e kemi shtyllën joqeveritare ku ombrellë e kemi Komitetin Olimpik të Kosovës, Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe të gjitha federatat anëtare Ne jemi me fat si vend që e kemi një shtyllë joqeveritare shumë mirë të zhvilluar të cilët këtë gjë e kanë dëshmuar edhe me rezultatet e arritura por edhe me zërin e tyre që e kanë në komunitet dhr ajo që mund të them është se kjo rregullore do të hartohet dhe do të finaluzohet e hyjë në fuqi normalisht duke u bazuar më kërkesat e komunitetit, ato që janë të adresueshme dhe ato të cilat kanë bazë ligjore padyshim.”, tha Osmani.

Me rregulloren për Kategorizimin e Sporteve përcaktohet poentimi i federatave sportive bazuar në masovitetin, cilësinë, statusin, aktivitetin dhe ngritjen e kapaciteteve, kushte këto përmes së cilave pastaj bëhet edhe financimi i federatave gjatë një viti kalendarik.  /TV Arbëria 

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Powered by WordPress