Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Musliu: Kosova në kurth të Albin Kurthit – Nuk është në kurth vetëm Kuvendi por e ardhmja e Kosovës

Musliu: Kosova në kurth të Albin Kurthit – Nuk është në kurth vetëm Kuvendi por e ardhmja e Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale politike në vend, duke e përshkruar Kuvendin e Kosovës si një “skenë teatri” ku, sipas saj, mungon dialogu i vërtetë politik.

Në një postim në rrjete sociale, Musliu akuzon kryeministrin Albin Kurti për arrogancë dhe mungesë të vullnetit për bashkëpunim, duke e portretizuar atë si një “lider suprem” që i mbyll dyert ndaj kritikave dhe bashkëpunimit politik.

Ajo thotë se Kosova nuk po udhëhiqet me vizion e përgjegjësi, por me improvizim dhe përçmim ndaj institucioneve dhe qytetarëve.

“Në vend të transparencës dhe vendimmarrjes, kemi improvizim. Në vend të përgjegjësisë, kemi tallje me besimin e qytetarëve. Në vend të dialogut, kemi arrogancë dhe përçarje”, ka shkruar Musliu.

Ajo kritikon ashpër edhe partitë që janë në linjë me pushtetin, duke i quajtur “duartrokitës të verbër të liderit suprem”. Sipas saj, vendi po humb kohë të çmuar dhe po ngec në zhvillim për shkak të një udhëheqjeje që nuk pranon të ndajë pushtetin apo të ndërtojë ura bashkëpunimi.

Musliu bën thirrje për aktivizëm qytetar të vazhdueshëm, duke theksuar se demokracia nuk matet vetëm me votë çdo katër vjet, por me reagim të përditshëm dhe angazhim të vazhdueshëm.

“Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të jetë vonë”, përfundon ajo, duke paralajmëruar se në kurth nuk ka rënë vetëm Kuvendi, por edhe vetë e ardhmja e Kosovës. /TV Arbëria