GUXO, partia nga ku vjen edhe ministri në detyrë i Bujqësisë Faton Peci, ka reaguar pas intervistimit që Prokuroria Speciale i ka bërë atij sot në lidhje me fabrikën e mbetjeve shtazore.
Kjo parti, përmes një postimi ka thënë se Prokuroria Speciale po jep shenja se është bërë pjesë e lojërave politike, shkruan lajmi.net.
“Ministri Peci është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me vendosmëri dhe integritet të lartë, ai ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për pastrimin e institucioneve dhe për rikthimin e besimit qytetar në shtetin e së drejtës. Po ashtu, z. Peci ka qenë zëri dhe veprimi i lirimit të pronave publike të uzurpuara padrejtësisht, duke vepruar pa kompromis ndaj çdo forme të uzurpimit, pa dallime politike apo lidhje të tjera të ndikimit. Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Bujqësisë ka përjetuar një ringjallje të vërtetë. Grantet dhe donacionet janë shpërndarë mbi bazën e meritës, duke u orientuar drejt fermerëve dhe bujqve që realisht kontribuojnë në zhvillimin rural dhe ushqimor të vendit. Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”, thuhet në reagim.