Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka refuzuar të komentojë deklaratat e kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj rreth historikut të tyre të koalicionit.
Sipas tij, deklarimet e Limajt nuk janë relevante, derisa u kërkoi gazetarëve ta pyesin për tema të tjera.
Haradinaj tha se kanë ofruar dy mundësi për zhbllokimin e situatës në Kuvend, duke ofruar emra të përshtatshëm sipas tij për të votuar për kryeparlamentar.
“S’kam ndonjë koment, s’po më kujtohet asgjë… A keni ndonjë pyetje tjetër, kjo nuk është diçka relevante. Çdo gjë që lidhet me këta është e kaluar. Jemi para parlamentit. Jemi në bllokim të seancës. Sikurse e dini, ne në takt tonin si aleancë i kemi dhënë dy zgjidhje që mos të mbetemi të bllokuar siç kemi mbetur tash e sa kohë. Së pari kemi dhënë mundësinë të votojmë një kandidat të LVV-së, por që na bashkon me votë, kemi dhënë emra. Po ashtu, e kemi bërë edhe një veprim të dytë. ou kemi drejtuar gjykatës Kushtetuese, me qëllim që të dalim nga kjo gjendje…”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj ishin në koalicion për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 bashkë edhe me disa subjekte të tjera, siç është Forumi i Intelektualëve e-30.
Para pak ditësh, Limaj njoftoi se Forumi i Intelektualëve i është bashkuar Nismës Socialdemokrate.
Deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin edhe në përpjekjen e 22-të. As në tentimin e radhës, koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.