Largimi i rreth njëmijë e treqind bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike po shihet si një hap me ndikim të madh negativ për sektorin privat dhe ekonominë në tërësi, raporton KosovaPress.
Ky shqetësim u trajtua në një takim të hapur të organizuar nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të opozitës, bizneseve dhe KESCO-s. Megjithatë, takimi u mbajt në mungesë të përfaqësuesve të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) dhe Autoritetit të Konkurrencës, të cilët refuzuan ftesën për të raportuar para Kuvendit.
Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se institucione që, megjithëse të pavarura, sipas ligjit janë të obliguara të raportojnë në Kuvend.
“Të dy këto palë ju kanë shmangur takimit duke u thirrur në emër të pavarësisë së tyre. Në fakt këta i raportojnë kuvendit dhe do duhej të ishin sot prezent. Sapo isha në telefon me kryetarin e Bordit të ZRRE-së, dhe ai tha se nuk ka marrë aprovim nga anëtarët e tjerë të bordit të marrë pjesë në këtë takim, sepse, kinse sipas tyre, çështja e çmimit të energjisë elektrike dhe de-rregullimit të tregut po politizohet në kuvend…Të dy institucionet e pavarura të cilat sipas ligjit duhet t’i raportojnë kuvendit nuk vinë për të dhënë përgjigje në kuvend. Para disa ditëve 30 deputetë të kuvendit nga një pjesë e madhe e partive politike kanë bërë një kërkesë ZRrE të anulojë vendimin për vendosjen në treg të hapur të rreth 1 mijë e 300 kompanive. Me argumentin e fortë se nuk ka konkurrencë dhe nuk ka treg të hapur…Ne sot sërish kemi dashtë të përsërisim kërkesën që të anulohet ose shtyhet deri në krijimin e kushteve vendimi për vendosjen në treg të de-rregulluar të kompanive. Nuk ka konkurrencë të lirë, për shkak se ju si shoqata dhe disa prodhues keni kërkuar oferta për energji elektrike nga pothuajse 19 operator që janë të licensuar nga ZRrE dhe keni marrë një ofertë të vetme nga KESCO”, ka thënë Bajrami.
Në anën tjetër, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se ZRrE është shndërruar në një degë të partisë në pushtet duke dalë prej mandatit të saj.
“Fatkeqësisht sot ata që do duhej t’i kemi, të përgjigjen për situatën që po krijojnë, ZRRE-në, e që është shndërruar në një degë e partisë në pushtet dhe ka dalë prej mandatit të saj komplet. Me gjasë sot do t’i ngritëm shqetësimet tona por nuk e kemi adresën për të marrë përgjigje…13:22 Numri i pyetjeve që kam pas për ZRRE-në është i madh, nuk do t’i ndalim përpjekjet t’i kemi në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Ndërkaq, deputeti Veton Berisha ka thënë se mbështesin bizneset për kërsat e tyre.
“Jemi me bizneset, sepse jemi treg i hapur, dhe mendoj se nuk duhet të dalim me politikat tona qoftë të heshtura, qoftë tash këtu të mohuara”, ka thënë Berisha.
Përfaqësues prej KESCO, Edona Sahiti ka thënë se nuk mund të marrin si barrë diçka që nuk ju përket, derisa ka shtuar se do të jenë bashkëpunues me bizneset.
“Kemi dashur të jemi pjesëmarrës që të tregojmë që jemi bashkëpunues dhe e kemi vullnetin më të mirë me bashkëpunua në këtë proces të ri që po ndodh…Ne si KESCO nuk mund të marrim si barrë diçka që nuk është në fushën tonë. Nuk kemi kompetence. Janë edhe 18 furnizues të tjerë. Andaj, këta 18 furnizues tjerë nuk po pyeten se çka po mendojnë për këtë lloj interpretimi dhe mendoj se është e padrejtë edhe KESCO të vihet në pozicion të tillë që i kërkohet një interpretim duke qenë se janë institucionet tjera që kanë kompetenca rregullative”, ka thënë Sahiti.
Për këtë deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se nuk mund të shkojnë të pyesin një kompani pse po i përjashton prodhuesit prej tregut të rregulluar kur ata nuk janë duke furnizua.
“Jeni ju që e keni te drejtën ekskluzive të shërbimit universal për furnizim me energji elektrike, nuk mund të shkojmë të pyesim një kompani pse po i përjashton prodhuesit prej tregut të rregulluar kur ata nuk janë duke furnizu”, ka thënë Bajrami.
Në emër të lidhjeve të bizneseve të Kosovës ka folur, Adem Qorrolli, i cili ka thënë se për herë të parë në Kosovë po pritet një treg që askush “nuk e dinë se çka i vjen”.
“Për herë të parë në Kosovë po pritet një treg që askush nuk e dinë se çka i vjen, sa do të paguhen…Në rast se kjo vazhdon dijeni që Kosova hap rrugë për recesion ekonomik. Sepse Kosova sot është në dy sëmundje, është mbi inflacionin e cila nuk është edhe sëmundje e lehtë që shkakton shumë gjëra e që hap rrugë për edhe devalvimin e çdo produkti dhe çdo profesioni, por sigurisht edhe kjo jep kahe migrimit”, ka thënë Qorrolli.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka njoftuar se nga një qershorit bizneset që kanë mbi pesëdhjetë të punësuar ose qarkullim mbi 10 milionë euro do të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike. Ky vendim ka ngjall reagime e kundërshtime nga bizneset vendore.