Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar pas deklaratave të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill rreth formimit të Asociacionit.
Ai i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke e pyetur se çfarë marrëveshje, sipas tij të dëmshme ka bërë Kurti.
“Trego Kryeministër, ku, kur dhe si e ke ‘pirë një lugë qorbe të prishur’ e tani po shkatërron për dy vite, çdo arritje politike në bërjen e shtetit?!”, ka shkruar ndër të tjera deputeti i PDK-së.
Reagimi i plotë i Hisenit
Kryeministër në detyrë, pas kësaj dekleratë të Escobar dhe Hill, duhet të zhvisheni nga mashtrimi e gënjeshtra e ta thoni se çfarë marrëveshje të dëmshme/tradhtie paske bërë?!
Sepse, si shtet i pavarur e demokratik, bazuar në “Deklaratën e Pavarësisë” dhe Kushtetutën e vendit, për 70 mij serbët kosovar, duhet të ofrojmë të njëjtat standarde jete dhe mbrojtjëje, si për të gjithë qytetarët e komuniteteve tjera që Kosovën e pranojnë, e ndjejnë shtetin e tyre.
Kurse të drejtën që të marrin pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike të Serbisë, mundën ta bëjnë por, duke jetuar në Serbi. Kjo do të thotë se e kanë të drejtë të jetojnë në traditën e tyre kombëtare e religjioze, ti promovojnë ato vlera por brenda kornizave ligjore dhe Kushtetutës së shtetit demokratik të Kosovës ku edhe mbrohen.
Kosova tashmë, është e pranuar dhe e konfirmuar nga GJND, si shtet demokratik, ndaj institucionet demokratike si Parlamenti e Gjykata kushtetuese do t’iu stopojnë!
A nuk u akomoduan mjaftueshëm të drejtat kolektive me “Pakon e Ahtisarit”, Kushtetutën e Kosovës, me vende të rezervuara, me privilegje të ndryshme unike, ndër më të avansuarat në sistemet shtetërore në Botë?
Kështu që, trego Kryrministër, ku, kur dhe si e ke “pirë një lugë qorbe të prishur” e tani po shkatërron për dy vite, çdo arritje politike në bërjen e shtetit?! /TV Arbëria