Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Krim ndaj qytetarëve, AUV mbajti të fshehur shitjen e peshkut me krimbin e rrezikshëm në tregun e Kosovës

Krim ndaj qytetarëve, AUV mbajti të fshehur shitjen e peshkut me krimbin e rrezikshëm në tregun e Kosovës

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e cila bie në juridiksionin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhillimit Rural (MBPZHR) e cila udhëhiqet nga Faton Peci e ka mbajtur tërësisht fshehur një krim ndaj qytetarëve që kanë konsumuar peshk me krimba Anisakis. Parazitët-krimbat në peshk, sipas dokumenteve janë parë me sy në laborator dhe përbëjnë rrezik për shëndetin e popullatës që i kanë konsumuar.

Dokumente zyrtare, të vulosura dhe të nënshkruara nga zyrtarët e AUV-së, dëshmojnë qartë se qindra mostra peshku të importuar në vendin tonë kanë rezultuar me parazitin Anisakis spp, dhe atë në formën e tij më të rrezikshme, larvat në stadin e tretë (L3).

Këto krimba, të gjatë deri në 3 centimetra, janë vërejtur me sy të lirë gjatë analizave laboratorike që janë kryer nga data 24 nëntor 2023 deri më 6 shkurt 2024.

Në dokumentet e siguruara nga Periskopi, dëshmohet për dhjetra analiza që janë kryer në peshkun e importit që kanë rezultuar me krimba.

Peshku i importuar nga Kanadaja, Argjentina, Spanja dhe Maqedonia e Veriut, i llojit Merluc (Hake fish), është analizuar në 28 mostra në laboratorin e AUV-së. Të gjitha mostrat kanë rezultuar të kontaminuara, por skandali qëndron në faktin se asnjë njoftim publik nuk është lëshuar, dhe pjesa më e madhe e peshkut është lejuar të shitet në treg.

Duke shkelur ligjin, Agjencia e Ushqimit as sot e kësaj dite nuk ka dhënë asnjë informatë për konsumatorët, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.

AUV vetëm dy ngarkesa i ka asgjësuar dhe bërë publike, ndërsa të tjerat janë shpërndarë nëpër tregje dhe markete në mbarë vendin. Kështu, qytetarët , pa dijeni jo vetëm që kanë blerë, por kanë gatuar dhe konsumuar peshk të mbushur me krimba. Dy kompanive u janë asgjësuar ngarkesat, ndërsa kompanive tjera u është lejuar ta shesin peshkun me parazit Anisakis.