Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi deklaroi se kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk do t’i marrë asnjëherë 61 vota. Ai edhe një herë i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të ndërrojë propozimin për kryeparlamentar.
Pas dështimit të 16-të për konstituim të Kuvendit, ai tha se e mirëpresin ftesën e presidentes Vjosa Osmani për takim me partitë politike.
Krasniqi quajti “serial të turpshëm të peng-marrjes institucionale”, bllokimin që sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje po ja bënë konstituimit të Kuvendit.
“Një seriali do ta quaja të turpshëm të peng-marrjes institucionale, të cilën po e realizon Lëvizja Vetëvendosje me bllokimin që po ja bënë jo vetëm konstituimit, por dhe krijimit të institucioneve sipas verdiktit të qytetarëve në zgjedhjet e 9 shkurtit. Fiks një muaj më parë, ne jemi mbledhur këtu për herën e parë të gatshëm për të konstituuar Kuvendin e Kosovës dhe jemi një muaj më vonë dhe shumë muaj pas zgjedhjeve dhe jemi në bllokadën të cilën partia që ka dalë e para po vazhdon ta mbajë. Vërtetë kjo është e tepërt tashmë, unë edhe një herë i bëjë thirrje LVV-së dhe kryetarit të saj, deputetit Kurti që ta ndërrojë kandidaten e cila herë i merr 55, herë i merr 56, sepse nuk i ka marrë, nuk i merr dhe as nuk do t’i merr 61”, u shpreh ai.
Ai foli edhe për takimin e sotëm me presidenten Vjosa Osmani, ku tha se aty “do të jap kontribut për të dalë nga kjo situatë”.
“Është i mirëpritur nga ana jonë, sepse siç e dini e kemi propozuar qysh në javën e kaluar, në emër të kryesisë së PDK-së. Dhe unë aty do të shkojë edhe me vullnetin edhe me shpresën për të dhënë kontribut për të dalë prej kësaj situate, por normalisht do të varet edhe nga pjesëmarrja e kryetarëve të tjerë edhe nga qëndrimet që do t’i shfaqim aty”, shtoi ai.
Në këtë takim, Krasniqi tha se po shkojnë me vullnet që vendit i duhen institucionet.
“Ne po shkojmë me gatishmëri [në takim te presidentja Osmani], po shkojmë me vullnet dhe po shkojmë me bindje që vendit i duhen institucionet. Ju e patë këto ditë, ne përsëri e humbëm shansin që të jemi anëtar të Këshillit të Evropës për shkak të kësaj bllokade. Sepse sikur të kishim kuvend, sikur të kishim qeveri deri tash, është dashur që t’i kemi dyjat, ka mundur të jetë një realitet ndryshe. Kosova ka mundur të realizojë një aspiratë të jashtëzakonshme dhe tepër të rëndësishme, anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Përtej kësaj ne ende jemi në sanksione nga Bashkimi Evropian, s’kemi kurrfarë raporte as komunikimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kemi rritje të çmimit të energjisë”, shtoi Krasniqi para mediave.