Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka bërë të ditur se do të shkojë në vizitë në Hagë në cilësinë e zyrtarit publik të shtetit. Ai theksoi se roli i këtij institucioni është i kufizuar dhe kompetencat e plota i ka Avokati i Popullit të Dhomave të Specializuara. Në konferencë për media, ai ka dhënë detaje nga takimi i djeshëm me kryetaren e Speciales, Ekaterina Trendafilova, për çka tha se i ka adresuar shqetësimet rreth punës së gjykatës, raporton KosovaPress.
Ai tregoi se në cilat raste ka kompetenca Institucioni i Avokatit të Popullit.
“Roli i Avokatit të Popullit në Dhomat e Specializuara është kufizuar vetëm në dy momente. I pari është me rastin e miratimit të Ligjit dhe hyrjes në fuqi, Avokati i Popullit ka pasur të drejtë brenda dy muajve që ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese. Nëse do të kishte konstatuar që ka çështje që nuk janë në përputhje me kushtetutshmërinë në raport me ligj. Gjë që është konsumuar si afat dhe vetëm nëse do të ketë një ndryshim të këtij ligji apo plotësim, atëherë mund të reagojë prapë Avokati i Popullit, përndryshe është konsumuar dhe nuk mund të përsëritet më. Dhe kompetenca e dytë e Avokatit të Popullit është nëse Gjykata Kushtetuese e Dhomave të Specializuara kërkon opinion dhe qëndrim të Avokatit të Popullit, ne mund të dërgojmë këto qëndrime, opinione për çështje që kemi ngritur. Përndryshe nuk i lë asnjë kompetencë tjetër, duke i vendosur kompetenca të plota tek Avokati i Popullit të Dhomave të Specializuara”, deklaroi Qelaj.
Sipas Qelajt askush nuk ka të drejtë që Institucionin e Avokatit të Popullit ta shmang dhe kufizojë në dhënien e opinioneve.
Ai njoftoi se do të shkojë në Hagë për vizitë tek të akuzuarit, për çka do të monitorojë edhe disa seanca gjyqësore, derisa shtoi se po pret një aprovim nga gjykata që një gjë e tillë të ndodhë në qershor.
“Vizitën e planifikuar e kam pasur në prill ta mbajë. Arsyeja pse nuk kam shkuar ka qenë fakti që nuk kam marrë një përgjigje të qartë se mund të vizitojë të gjithë të burgosurit. Pra, mu kanë përmendur vetëm disa emra dhe unë kam pasur për qëllim që të ruajë paanësinë dhe barazinë në raport me të akuzuarit të vizitojë të gjithë. Dhe e dyta, cilësia dhe kapaciteti në të cilin unë do ta kryejë këtë vizitë, ngase nga deklaratat e të akuzuarve pas lirimit nga burgu kam kuptuar që vizitat zyrtare ja kanë cenuar vizitat familjare. Dhe ne kemi shkuar në kapacitet personal, për çka nuk kisha dashur asnjëherë të bëjë një gjë të tillë. Pra, unë nuk shkoj as si mik, as si familjar i të akuzuarve, por shkoj si Avokat i Popullit. Kjo mu sqarua në takimin e fundit dhe mu komunikua që mund të shkojë në cilësinë e zyrtarit publik të shtetit. Tani janë plotësuar kushtet”, u shpreh Qelaj në konferencë për media.
Qelaj tha se nuk ka diskutuar me Trendafilovën për çështjen e ligjit më të favorshëm, por sa i përket paraburgimit tha se i është thënë që “nuk përzihet në vendimmarrjen e gjykatës”.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj deklaroi se takimi i djeshëm me kryetaren e Dhomave të Specializuara ka qenë i paralajmëruar me kërkesë të Ekatarina Trendafilova.
Në konferencë për media, Qelaj theksoi se ka shprehur shqetësimet që ka pranuar nga opinioni publik por edhe me familjarë.
“E para që kam përmendur është shqetësimet që qytetarët e Kosovës kanë lidhur me atë që kjo gjykatë a po respekton parimin e një gjykimi të drejtë sipas standardeve ndërkombëtare. Dhe kur kam përmendur këtë fakt, kam cekur disa aspekte që lidhen me qasjen në mbrojtje të të akuzuarave dhe mundësinë e mbrojtjes që të kundërshtojë provat që garanton barazinë e armëve në procedurë. Pastaj standardet e dyfishta lidhur me procedurat e kompensimit të viktimave që lëjnë në diskriminim qytetarët e Republikës së Kosovës që gjykohen apo në rastet që janë pjesë e proceseve gjyqësore në gjykatat vendore. Pasiguria dhe ligjshmëria e provave, sidomos ato që janë të siguruara nga autoritet e Serbisë”, deklaroi Qelaj.
Për të gjitha këto dyshime, Avokati i Popullit tha se Trendafilova ka thënë se këto pretendime nuk qëndrojnë.
Takimi është mbajtur dje në orën 15:00, ku Qelaj tha se kanë diskutuar për çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e të akuzuarve.
“Për mua transparenca fillon prej momentit kur gjykata do të fillojë të më sqarojë pretendimet dhe shqetësimet që unë kam ngritur. Përndryshe, çdo shqetësim që kam ngritur tjetër mund të jetë vetëm aspekt formal i plotësimit të transparencës, por jo përmbajtjesor dhe ashtu qysh kërkohen të jenë transparente gjykatat. Sepse, natyrisht unë shqetësimet që i kam ngritur, nuk i kam ngritur vetëm mbi bazë e supozimeve por i kam ngritur bazuar në analizën që Institucioni i Avokatit të Popullit ka”, shtoi Qelaj.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova nuk e kanë diskutuar çështjen e anulimit të konferencës, por në përgjithësi për transparencën në këtë proces.
Kryetarja e Gjykatës Speciale kishte paralajmëruar më 13 maj një konferencë me gazetarë në Prishtinë, por ajo u anulua pasi veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan para hotelit ku pritej të mbahej takimi. Organizatat e dala nga lufta deklaruan se vizita e Trendafilovës është provokuese. /kp