Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Organizata Shqiptaria dorëzon në Komunën e Prishtinës kërkesën zyrtare për rezervimin e hapësirës publike, për eventin  tradicional të datëlindjes së– Skënderbeu me 6 Maj 2026

Organizata Shqiptaria dorëzon në Komunën e Prishtinës kërkesën zyrtare për rezervimin e hapësirës publike, për eventin  tradicional të datëlindjes së– Skënderbeu me 6 Maj 2026

Organizata Shqiptaria ka njoftuar se sot ka dorëzuar në Komunë kërkesën zyrtare për rezervimin e hapësirës publike, me qëllim të mbajtjes së eventit tashmë tradicional për nder të datëlindjes së Kryeheroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu me 6 Maj 2026.

Sipas njoftimit nga kjo organizatë thuhet se kjo kërkesë është bërë me kohë dhe në përputhje me praktikat institucionale, për të shmangur përsëritjen e një situate të papranueshme, si ajo që ndodhi këtë vit, kur hapësira e kërkuar nga organizata jonë u uzurpua pa të drejtë nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), për një aktivitet të lidhur me kulturën arabe.

“Edhe pse ne, si organizatë, kemi respekt për çdo kulturë dhe veprimtari kulturore, vendosja e një ekspozite me përmbajtje të huaj në të njëjtën hapësirë dhe në të njëjtën kohë me manifestimin për Kryeheroin Kombëtar ishte e qëllimshme dhe tendencioze. Ky veprim jo vetëm që përbënte një ndërhyrje të panevojshme në një ngjarje me karakter kombëtar, por ngriti edhe pikëpyetje të arsyeshme mbi motivet dhe mesazhet që synohej të promovoheshin. Po ashtu, theksojmë se është shqetësuese që ky event nuk ishte i organizuar nga institucionet përkatëse të kulturës, por nga një subjekt fetar, siç është BIK-u, duke lënë hapësirë për interpretime të rrezikshme dhe për përplasje të panevojshme simbolike”, thuhet në njoftim.

Teksa më tej theksohet se për këto arsye, sot kemi ndërmarrë hapin institucional për të siguruar që hapësirat publike të jenë të garantuara për organizimin dinjitoz të eventit tonë kombëtar, ashtu siç i takon figurës së Skënderbeut dhe ndjenjës sonë të përbashkët historike e identitare.