Situata e krijuar ka nxitur reagime të shumta.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë thirrje për një angazhim të menjëhershëm nga liderët politikë të Kosovës për të formuar një Kuvend dhe një qeveri funksionale.
Në një përgjigje për median ambasadori ka theksuar se pas më shumë se tre muajsh nga zgjedhjet e fundit është koha për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve dhe për të siguruar stabilitetin institucional të vendit.
“Më shumë se tre muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe një qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesin kombëtar,” ka deklaruar ambasadori Hargreaves.
Edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka deklaruar sot për Telegrafin se përgjigja për zgjidhjen e ngërçit institucional bie mbi udhëheqësit politikë të vendit.