Inspektorati Policor ka nisur hetimin për trajtimin e rastit nga policia të 35 vjeçares së vrarë mbrëmë.
Kështu është konfirmuar nga IPK, derisa është bërë e ditur se është autorizuar një grup hetimor i veçantë nga dy departamente për të grumbulluar të dhënat.
“Ju konfirmojmë se Inspektorati Policor I Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga departamentet operative të IPK-së (Departamenti I Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilat janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Më tej, thuhet se veprimet tjera do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së në koordinim edhe me institucionet tjera.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se ka kërkuar përfshirjen e IPK-së për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti.
35 vjeçarja shtatzënë dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj me armë zjarri. Ajo po qëndronte në Gjinekologji, meqë pritej që sot të sillte në jetë fëmijën e saj. /TV Arbëria