Zëdhënësi i partisë në pushtet, Arlind Manxhuka, ka reaguar për raportin e Reporterëve pa Kufij i cili tregon rënien drastike të Kosovës sa i përket indeksit të lirisë së mediave, duke u renditur madje më keq edhe se Serbia.
Sipas tij, njerëzit që po reagojnë “të çuditur” më raportin, “janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të raportit” dhe se “duke dashur ta godasin qeverinë përmes raporteve, janë duke dalë edhe më joseriozë”.
Reagimi i plotë:
Me thënë se në Kosovë nuk ka liri të shprehjes është totalisht e pavërtetë.
Në Kosovë jo që ka liri të shprehjes, por ka liri absolute të të shprehurit. Madje deri edhe në mosndëshkim absolut të shpifjes.
Por, si ky raport? E thjeshtë.
Këta që sot po reagojnë “të çuditur” me raportin janë ata që kanë dhënë përgjigje para përpilimit të këtij raporti. Pra, raporti flet për Kosovën sikur kanë folur këta të Kosovës. Duke dashur ta godasin Qeverinë përmes raporteve, në fakt janë duke dalë edhe më joseriozë.
Liria, mendimi, liria e mendimit, shprehja, asnjëherë nuk janë ndalur e as s’mund të ndalen. Por, gënjeshtra ka kosto, nëse jo përmes normash, atëherë me humbje kredibiliteti. Dhe për këtë kanë përgjegjësi këta që sot po “çuditen”.
Për të konstatuar lirinë ose jo të shprehjes nevojitet në cilëndo natë (e hënë- e premte) me i pa “debatet televizive”. Asgjë më shumë.