Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Vonesat në formimin e qeverisë mund t’i kushtojnë Kosovës miliona

Vonesat në formimin e qeverisë mund t’i kushtojnë Kosovës miliona

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka ngritur shqetësimin se dështimi në formimin e institucioneve të reja do të rrezikon miliona euro për Kosovën, në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Disbursimi i mjeteve të para-financimit për Kosovën është i ndërlidhur me miratimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend, të cilat, për shkak të pamundësisë së konstituimit të legjislaturës së nëntë, nuk mund të ndodhin tani.

Për këtë arsye, hulumtuesi në GLPS, Besar Gergi, në një konferencë për media të premten, tha se mjetet e parapara për Kosovën rrezikojnë të kthehen në pikën zero, nëse marrëveshjet nuk miratohen deri në krijimin e qeverisë.
Ai shtoi se negocimi nga fillimi i marrëveshjes mund të përkthehet edhe me vonesa në ekzekutimin e fondeve dhe potencialisht me rishpërndarjen e tyre në vendet e tjera të rajonit.

Ndërkohë, përfaqësuesja tjetër e GLPS-së, Blerina Istrefi, tha se nëse partitë parlamentare dështojnë të formojnë qeverinë e re dhe bien dakord për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, atëherë me doemos duhet të konstituohet Kuvendi. Sipas saj, vetëm në këtë mënyrë është e mundur që, me procedurë të përshpejtuar, të miratohen dy marrëveshjet me BE-në dhe që Kosova të përfitojë mjetet financiare nga Plani i Rritjes së BE-së.

“Në rastin më të keq, nëse vendoset për zgjedhje të parakohshme, duhet medoemos të konstituohet Kuvendi në mënyrë që të votohet për shpërndarjen e tij. GLPS rekomandon që të shfrytëzohet ky moment për të kaluar këto projektligje sipas nenit 85 të Rregullores së Kuvendit, i cili parasheh procedurën e përshpejtuar në raste të veçanta, ku një nga rastet është interesi financiar, siç është në këtë rast,” shtoi ajo.

Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së për përshpejtimin e reformave për integrimin evropian të të gjithë rajonit, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e BE-së në buxhetet e vendeve përfituese dhe në projekte investuese.

Me zbatimin e këtyre reformave, Kosova do të përfitojë deri në 882.6 milionë euro fonde nga BE-ja. Nga kjo shumë totale, 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa pjesa tjetër prej 629.3 milionë eurosh janë hua afatgjata.