Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Albulena Haxhiu si shpëtim për “pushtetin” dhe “opozitën”

Albulena Haxhiu si shpëtim për “pushtetin” dhe “opozitën”

Shkruan: Afrim Kasolli

Ashtu siç pritej Kuvendi i Kosovës nuk ia doli të konsitituohet as sot. Lëvizja Vetëvendosje mbetët e palëkundur rreth emrit të nominuar të Albulena Haxhiu për krye kuvendare. Duke e shfrytëzuar, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, që ia njeh të drejtën partisë fituese të zgjedhjeve për këtë pozitë, ajo ka refuzuar kategorikisht thirrjet e partive tjera “opozitare” për kompromis. E vërteta është, se si para këtij opinioni kushtetues, por edhe pas tij, asnjëherë kryeparlamentari nuk ishte zgjedhur në fund pa kompromis politik pas zgjedhor. Dhe Lëvizja Vetëvendosje është pozicionuar hapur kundër këtij detyrimi politik.

Mirëpo, kjo sjellje e partisë fituese të zgjedhjeve bie në kundërshtim me qëndrimin e para pak ditëve të ish-krye kuvendarit Konjufca, i cili pas përfundimit të takimit konsultativ me subjektet parlamentare për seancën konstituive kishte deklaruar, se kjo parti nuk ka emër për drejtues të Kuvendit, ngase një pozitë e tillë mund të shndërrohet në temë të pazareve politike për votimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Pra shihet qartë se këtë veprim taktik partia fituese e zgjedhjeve e ka bërë me qëllim që të blejë kohë, ose në drejtim të sigurimit të numrave për votimin e mundshëm të ekzekutivit të ardhshëm, apo edhe shtrimit të rrugës për zgjedhje të reja jashtëzakonshme. Prandaj, ajo është shndërruar në një lloj shpëtimi politik për Lëvizjen Vetëvendosje duke marrë parasysh pozicionin pa shtegdalje ku gjendet aktualisht.

Nuk ka dyshim se përgjegjësia për debllokimin e situatës i takon pikërisht partisë fituese të zgjedhjeve. Sepse ajo nuk mund t’i fitojë me shantazhe ato që nuk i ka siguruar nga sovrani. Dhe prej vitit 2014 e këndej, përjashto vitet 2021-2025, asnjwherw kryetari i Kuvendit dhe kryeministri nuk i kanë takuar së njëjtës parti politike.

Mirëpo, me këtë “exit strategji” momentale nëpërmjet Albulena Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje i ka ofruar një shpëtim politik edhe partive “opozitare” Sepse shihet qartë se as ato nuk janë të bindura për formimin e një qeverie të drejtuar nga to. Madje, kundërshtitë dhe armiqësitë ndërmjet tyre vetëm sa po vijnë duke u thelluar, duke e pamundësuar një opsion të tillë. Ngase po të ishte ndryshe nuk përjashtohet mundësia që ta tejkalonin këtë procedurë për t’i hapur rrugë themelimit të institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Në rendin republikan dhe parlamentar të Kosovës, kush e krijon shumicën parlamentare pas zgjedhore dhe e kontrollon ekzekutivin e ka pushtetin real. Në këtë rast përpos spektaklit publik, Albulena Haxhiu në asnjë mënyrë nuk mund t’a pengonte qeverinë e ardhshme nga vendimmarrja politike.

Për më shumë, nuk është hera parë që drejtuesi i Kuvendit dhe ai Qeverisë kanë qenë në pozicione antagoniste. Të gjithëve na kujtohet se në mandatin e dytë qeverisës, (2010-2014), ish-kryeministri Hashim Thaci dhe ish kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, nuk ka qenë në raporte harmonike. Madje ka pasur tensione të vazhdueshme ndërmjet këtyre dy qendrave të pushtetit. Kurse rasti më eklatant i një qarjeje të tillë, mbetet ai ndërmjet krye parlamentares Vjosa Osmani me Qeverinë e drejtuar nga Avdullah Hoti. Dhe as Albulena Haxhiu nuk mund të jetë më armiqësore ndaj një ekzekutivi “opozitar”, se sa e para ndaj të dytit. Natyrisht rrëzimi i Qeverisë Hoti u bë për arsyeje të shkeljeve tjera kushtetuese, e jo pse Vjosa Osmani mund ta pengonte funksionimin e saj.

Me këtë rast, janë dyshimet dhe mos gatishmëria, veçanërisht e PDK-së dhe LDK-së, për të formuar një Qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje, që në të vërtetë po ashtu po e përdorin emrin e Albulena Haxhiu si pretekst, për të blerë kohë derisa ta qartësojnë pozicionin e tyre se a janë për zgjedhje të parakohshme apo për opsione tjera. /TV Arbëria