Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > Fetahu në ‘ARB Debat’: Kushtetuta është kufizim, jo pushtet – politikanët e interpretojnë sipas interesit

Fetahu në ‘ARB Debat’: Kushtetuta është kufizim, jo pushtet – politikanët e interpretojnë sipas interesit

Avokati Faton Fetahu, i ftuar në ARB Debat me Rid Berishën në TV Arbëria, ka folur për kulturën institucionale dhe atë kushtetuese në vend.

Ai ka thënë se politikanët tanë shpeshherë nuk e kanë kuptuar se Kushtetuta jonë është kufizim dhe jo pushtet.

“Tani konsideroj që këto 17 vite të ekzistencës së shtetit, të Kushtetutës, siç e kemi parë, më së shumti është sfiduar në rrafshin e ndarjes së pushteteve, sepse shumë herë politikanët kosovarë nuk e kanë kuptuar që në thelb kjo Kushtetutë e jona është kufizim, nuk është pushtet. Në radhë të parë është kufizim, dhe në këtë pikëpamje, shpeshherë edhe ballafaqimet e ndryshme mes pushteteve janë interpretuar në varësi të pozicioneve politike të palëve,” ka thënë Fetahu.

Ai ka potencuar tutje se subjektet politike bëjnë interpretimin e Kushtetutës në varësi të interesave dhe situatës.

“Ka shumë raste që një subjekt politik të njëjtën normë ose të njëjtin standard kushtetues e ka interpretuar ndryshe, në varësi të asaj se ka qenë në pushtet, siç i kanë projektuar interesat politike,” ka thënë ai.

“Kultura kushtetuese tek ne është në tranzicion,” thotë tutje avokati.

Fetahu shprehet në ARB Debat se klasa politike në vend duhet të ndërtojë një kulturë të respektit mbi Kushtetutën dhe interesat politike të vihen në rend të dytë.

“Shpeshherë ky ballafaqimi ynë i përditshëm me shkelje kushtetuese dikuj mund t’i duket edhe i pazakontë, por unë konsideroj që është i zakonshëm, përjashto këtu rastin kur shkeljet bëhen me qëllime ose motive të përsëritura dhe kryesisht politike. Politikanët, klasa politike, duhet të ndërtojë një kulturë të edukimit dhe respektit mbi Kushtetutën, mbi vlerat e saj, dhe përballë këtyre vlerave interesat politike të mbesin të dorës së dytë. E jo të interpretohet Kushtetuta në varësi të pozicioneve politike, siç ndodh edhe ka ndodhur,” ka thënë Fetahu ndër të tjera.