Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se tri kompanitë aplikuese në ankandin për ndërtimin e impiantit të erës me kapacitet 100MW, përmbushin kriteret ligjore, teknike dhe financiare për fazën aktuale, ndërsa më vonë ata kalojnë në fazën e dytë të procesit dhe se fituesi do të përzgjidhet bazuar në ofertën me çmimin më të ulët për MW.
Në ankandin e hapur më 20 shkurt 2025 janë pranuar tri aplikacione nga kompanitë ndërkombëtare Akuo Energy – Francë, Güriş – Turqi dhe Konsorciumi Notus/Stublla Energy nga Gjermania e Kosova.
Komisioni vlerësues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet dhe ka vlerësuar se të tri aplikuesit i përmbushin kriteret ligjore, teknike dhe financiare për këtë fazë të garës, ndërsa më vonë ata kalojnë në fazën e dytë të procesit.
Në ditët në vijim, Ministria e Ekonomisë do të shpallë Kërkesën për Propozime për këto kompani të kualifikuara, proces ky, i cili do të zgjasë rreth 6 muaj dhe do të zhvillohet me standardet më të larta të transparencës.
Gjatë kësaj periudhe, do të organizohet konferenca e para-ofertimit me investitorët e kualifikuar, ku së bashku me IFC-në do të prezantojnë strukturën e projektit dhe detajet kryesore të marrëveshjeve kontraktuale.
Pas kësaj, do të jetë faza e pyetjeve dhe përgjigjeve për të lejuar finalizimin e dokumentacionit të plotë mbi të cilin kompanitë do të dorëzojnë ofertat e tyre.
Pasi të pranohen propozimet, komisioni do të vlerësojë përmbushjen e të gjitha kritereve ligjore, teknike, mjedisore dhe sociale ku vetëm ofertat që i plotësojnë këto kritere do të kalojnë në hapjen e ofertave financiare.
Fituesi i projektit do të përzgjidhet bazuar në ofertën me çmimin më të ulët për MWh, që gjithmonë duhet të jetë nën çmimin tavan të përcaktuar nga rregullatori i energjisë, thuhet në komunikatë, kp