Analisti politik Afrim Kasolli ka reaguar ashpër ndaj lëvizjeve të fundit të AAK-së, me në krye me Ramush Haradinajn, ku Adem Hoxha, i njohur për lidhjet e tij me Listën Serbe, i është bashkuar kësaj partie.
“Veprimi i sotëm i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, që për të mbijetuar politikisht si grup parlamentar duke e rekrutuar Adem Hoxhën, deputetin e lidhur me Listën Serbe, do ta diskreditojë deri në ekstrem retorikën e tij politike që e ka ndjekur kohën e fundit. E thanë edhe analistë të tjerë, se ai nuk është asgjë tjetër pos një piun i Milan Radoiçiqit dhe Serbisë”, ka shkruar Kasolli.
“Jam i vetëdijshëm për humbjet që pëson një parti kur nuk arrin të mbajë grupin parlamentar, ajo praktikisht nuk ekziston institucionalisht, nuk i takojnë zyra, komisione, financim nga KQZ. Por kjo nuk e justifikon një ‘pakt me djallin’,” u shpreh Kasolli.
Sipas tij, kjo “fitore faustiane” mund t’i sigurojë Haradinajt disa privilegje të momentit, por mund ta çojë drejt një humbjeje të palavdishme afatgjatë politike. /TV Arbëria