Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Kuvendi në qorrsokak

Kuvendi në qorrsokak

Shkruan: Afrim Kasolli

 

 

Për sot në ora 12 është planifikuar vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit. E njëjta u ndërpre, pasi PDK, LDK, AAK si dhe partitë minoritare, nuk e votuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandatave. Ky refuzim u bë me arsyetimin, se kabineti qeveritar në krye me kryeministrin Kurti, nuk ka dhënë dorëheqje sipas detyrimeve ligjore dhe kushtetuese, që ia ndalon deputetëve në të njëjtën kohë të mbajnë pozita ekzekutive. Këto subjekte politike e përmenden nenin 26 mbi Qeverinë e Republikës së Kosovës si argument për këtë kërkesë.

Prandaj po të votonin pro këtij raporti këto parti pohojnë se do të bënin shkelje kushtetuese. Kurse, kryeministri në detyrë pretendon se tashmë e ka plotësuar këtë kriter. Mirëpo, sipas tij “opozita” po kërkon braktisje të shtetit. Ai e ka ofruar një letër në rrjetet sociale si dëshmi se e ka informuar bashkëpartiakun e tij Glauk Konjufca për aktin e dorëheqjes. Kurse detyrimet për ta vazhduar punën rrjedhin nga neni 31 i të njëjtit ligj. Madje, Albin Kurti ka pohuar se një insistim i tillë është i padrejtë, sepse asnjë qeverie tjetër paraprake, nuk i ishte kërkuar një gjë e tillë. Kundërshtarët kanë përmendur mungesën e ligjit në atë kohë. Në anën tjetër, në përgjigjen dërguar drejtuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, presidentja Osmani, duke u bazuar edhe në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, i ka instruktuar deputetët se e kanë “obligim që ta jetësojnë e jo ta bllokojnë formimin e institucioneve përpara për konstituimin e Kuvendit”.

Kurse Grupi për Studime Politike dhe Juridike ka deklaruar dje se “gjendja kundër-kushtetuese ka filluar me datë 27 Mars, kur Komisioni Qendror për Zgjedhje ka certifikuar si deputetë, në kundërshtim me Kushtetutën, anëtar të cilët njëkohësisht mbanin post ekzekutiv”. Aktualisht asgjë nuk ka ndryshuar në raport në ngërçin e para dy ditëve.

Për më shumë, Albin Kurti i ka përçmuar edhe më tej parakushtet e “partive opozitar” për votimin e raportit në fjalë. Ai dje ka mbjatuar mbledhje të Qeverisë duke treguar botërisht se vazhdon të mbetet në detyrë, si dhe ka informuar opinionin për një numër vendimesh që ka marrë. Në këtë situatë, presioni i afateve rrjedhëse kushtetuese ka rënë mbi “opozitën”. Sepse nëse kjo fundit i qëndron besnik premtimit të saj se nuk do ta votojë raportin në fjalë pa dëshmi konkrete se anëtarët e kabinetit qeveritar kanë dhënë dorëheqje eksplicite, mund të dështoje konstituimi i Kuvendit dhe në këtë mënyrë të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ose do të detyrohet ta kapërdijë këtë zotim me qëllim që ta shmang këtë skenar dhe pas votimit ta zhvendos betejën në terrenin juridik dhe kushtetutës duke kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese se mbajtja në të njëjtën kohë e dy pozitave a ishte shkelje kushtetuese?