Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ende nuk ka pranuar ndonjë letër nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, për zhvillimet e sotme të seancës. Këtë e ka konfirmuar për RTK Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.
“Deri më tani nuk ka arritur asnjë letër nga Kuvendi. Para përgjigjes duhet të vijë pyetja”, tha Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidentes së vendit.
Ndryshe kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi për ndërprerjen e seancës, pasi tha se s’ka shumicë për vijim të saj. Dehari theksoi se pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave, seanca ndërpritet. “Për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme, në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë Presidenten se si do të vijohet tutje”, deklaroi Dehari.