Shkruan: Afrim Kasolli
Pas njohjes nga Kenia, Kosova arriti ta siguroi edhe një njohje tjetër, atë nga Sudani. Kjo e fundit, siç u tha edhe nga vetë presidentja Vjosa Osmani, ishte rezultat i lobimit diplomatik të presidentit të Republikës së Turqisë, R.T. Erdogan. Madje, nuk është e rastësishme që kumtimi për këtë akt u bë publik në takimin e Forumit Diplomatik të Antalyas.
Në këtë mënyrë pas një periudhe të gjatë staginimi diplomatik, të paktën u krijua percepcioni se po zhbllokohet agjenda ndërkombëtare e shtetit të Kosovës. Shto edhe këtu faktin se autoritet e reja në Siri janë treguar shumë më miqësore ndaj Kosovës, se sa regjimi diktatorial i Bashar al Assadit.
Gjatë të njëjtit event, po ashtu presidentja Osamani takua me drejtuesin e ri të Sirisë, Ahmed al Sharaa. As kjo kthesë nuk mund të paramendohet pa ndikimin që Ankaraja e ka siguruar në këtë shtet pas përmbysjes se ish regjimit të Assadit.
Ndonëse, aktualisht ky takim është zhvilluar në një kohë tejet të tensionuar gjeopolitike ndërmjet Republikës së Turqisë dhe Izraelit për Sirinë. Ushtria Izraelite i ka bombarduar disa pajisje ushtarake që konsiderohet se janë resurse tëTurqisë, e që Izraeli i konsideron si vija te kuqe, si dhe nuk do ta lejojë me asnjë çmim ndërtimin e tyre.
Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin se këto dy shtete po shkojnë drejt një përplasje të hapur për shkak të rivaliteteve në këtë shtet. Ndonëse kanë filluar disa bisedime teknike, si të tilla ato nuk kanë rezultuar me ndonjë progres te madh. Edhe presidenti Trump është zotuar se do të ndërmjetësojë në mes të Ankarasë dhe Tel Avivit, për të shmangur këtë konflikt që po behet gjithnjë e shpërthyes. Prandaj, ky takim në këtë kohë të turbullt krijon përshtypjen se Kosova panevojshmerisht po anon nga njëra palë për te ardhmen e Sirisë.
Madje, mjaftoi kjo mbështetje nga Republika e Turqisë që i madh i vogël t’i falënderohen liderit turk për kontributin që është duke dhënë në sigurimin e njohjeve ndërkombëtare për shtetin e Kosovës. Ky entuziazëm i tejkaloi edh ato kur me ndihmën e presidentit Donald Trump, kur Kosova u njoh nga Izraeli, si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit.
Natyrisht, çdo njohje është e mirëseardhur për Kosovën. Ndonëse asnjëra nga to nuk e zgjidh problemin kryesor me të cilin aktualisht përballet ndërkombëtarisht shteti ynë. E para anëtarësimi në OKB. Ngase ky proces është peng i bllokadës ruse dhe kineze, në Këshillin e Sigurimit, për shkak të Rezolutës 1244, e cila nuk mund të zhbëhet pa pajtimin e Moskës dhe Pekinit. Por po ashtu, aspirata euroatlantike e Kosovës është peng i një bllokade tjetër, për shkak të refuzimit për ta njohur nga pesë shtetet e BE-së. Dhe që Kosova është pajtuar se integrimi i në këtë proces kalon nga marrëveshja me Serbinë si rezultat i dialogut në Bruksel. Ndërkohë se si do të gjendet shtegdalja nga ky ngërç është temë tjetër
Në këtë kontekst , secila prej njohjeve të sipër cekura, nuk ka ndonjë vlerë tjetër përtej karakterit formal. Madje me Sudanin as që mund të ngritën këto raporte në nivelin e përfaqësimit diplomatik. Sepse në atë shtet siç shkruan sot mediumi The Guardian, aktualisht po zhvillohet kriza më e madhe humanitare globale. Ndërkohë për shkak të luftës në Ukrainë dhe Gaza, thuajse kjo krizë është zhvendosur nga vëmendja e diplomacisë botërore.
Por në gjendje më të mirë nuk është as shteti i Kenias. Ndonëse nuk ka një konflikt të kësaj natyre, megjithatë edhe në atë shtet dominon një mjerim ekstrem. Një hulumtim i mediumeve si DW, Der Spiegel dhe ZDF, ka zbuluar se ky shtet qëndron në epiqendër të tregtisë brutale globale të organeve njerëzore. Ky raport special, tregon se si shumë të rinj nga Kenia për të shpëtuar nga varfëria e tmerrshme po tundohen t’i shesin veshkat e tyre për pacientet e pasur të vendeve perëndimore.
Në këtë kontekst, nga ky këmbimin i raporteve diplomatike të Kosovës me këto shtete, mbase mund të përfitojnë edhe ato nga Kosova se sa anasjelltas.