Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës, ka zhvilluar një vizitë në Hagë ku ka takuar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, të cilët po mbahen në paraburgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Përmes një postimi, Hamza ka bërë të ditur se i ka gjetur të dy liderët në gjendje të mirë shpirtërore dhe të vendosur në betejën e tyre për të vërtetën.
“Edhe një herë në Hagë për t’i vizituar presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli. I gjeta të fortë dhe i lashë me plot shpresë se e vërteta e luftës sonë çlirimtare së shpejti do të triumfojë,” ka shkruar Hamza.
Ai theksoi se qëndrueshmëria e tyre dhe besimi në drejtësi, në Kosovë dhe aleatët ndërkombëtarë, vazhdon të jetë frymëzim për qytetarët e vendit.
“E vërteta historike, ajo që populli ynë e ka përjetuar, padyshim se do të rikonfirmohet edhe në Hagë. Kosova, me padurim, tanimë është duke i numëruar javët dhe ditët e rikthimit të tyre, me bashkëluftëtarët e tyre, në mesin tonë,” u shpreh ai.
Kujtojmë se Thaçi dhe Veseli ndodhen në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat ata i kanë mohuar vazhdimisht, duke i cilësuar si të padrejta dhe politike. /TV Arbëria