Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Osmani: Lufta për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës s’do të ndalet kurrë

Osmani: Lufta për drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës s’do të ndalet kurrë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur përkrahjen e saj për Ramadan Nishorin, burrin e parë në vend që ka rrëfyer publikisht se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës.

Në një postim në Facebook, Osmani ka theksuar se rrëfimi i Nishorit është një akt guximi që duhet të përkrahet nga të gjithë, ndërsa theksoi se kërkimi për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale nuk do të ndalet.

“14 prilli është një ditë që nuk është vetëm kujtim, por edhe kërkim drejtësie, ngritje e zërit për mijëra gra, burra e fëmijë, që përjetuan dhunën seksuale gjatë luftës nga regjimi gjenocidal i Serbisë”, ka shkruar Osmani.

Ajo përmendi edhe guximin e viktimave që kanë folur më herët, si Vasfije Krasniqi dhe Shyrete Tahiri, ndërsa theksoi se rrëfimi i Nishorit tani hap një tjetër kapitull të rëndësishëm në zbardhjen e së vërtetës.

“Qëndresa dhe guximi i tyre janë inspirim për secilin prej nesh. Vasfija, Shyretja e shumë gra të tjera, e tani Ramadan Nishori e shumë burra, asnjëherë nuk u dorëzuan përballë dhimbjes. Zgjodhën të bëhen zë për veten dhe për të gjithë ata që ende nuk mund të flasin. U bënë zëri i së vërtetës dhe i drejtësisë”, ka shkruar tutje Osmani.

Ajo ka potencuar se lufta për drejtësi asnjëherë nuk do të ndalet.