Shkruan: Afrim Kasolli
Në një kohë kur e tërë vëmendja e opinionit publik ishte e koncentruar se a do të arrijë që partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit ta sigurojë numrin magjik prej 61 deputetëve për votimin e Qeverisë së re, papritmas dy nga partitë opozitare, deklaruan se ato nuk do ta votojnë as kryeparlamentarin, që sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese i takon Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para gazetarëve, në formë të pyetjes habitëse, por që në mënyrë implicite e ka mohuar se ky subjekt do të votojw për propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për pozitën në fjalë, ka deklaruar se “pse me ja dhanë votat e PDK-së? Pse duhet ne t’jua votojmë kryetarin? Nuk e kemi votuar as në të kaluarën”
Një qëndrim të tillë të ngjashëm pak a shumë e ka mbajtur edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, “një kryetar i Kuvendit që nuk i ka 61 vota për veti s’duhet të jetë kryetar i Kuvendit në radhë të parë fare. Minimalisht duhet t’i ketë 61 vota e më pas shihemi për gjëra të tjera”.
Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haredinaj ka pohuar se në “parim e votojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit. Do të bëjmë konsulta të ndërsjella me partitë tjera opozitare, me PDK dhe LDK. Mirëpo, këtë nuk e bëjnë ndaraz nga opozita”. Duke lënë të nënkuptohet se edhe ky i fundit mund t’i bashkëngjitet të parave.
Deri më tani nuk është e qartë se a i ka siguruar Lëvizja Vetëvendosje numrat për krye parlamentar. Madje javën e kaluar, Glauk Konfjufca, pat pohuar se ende si subjekt nuk kanë ndonjë emër konkret. Ngase kjo pozitë do t’i nënshtrohet pazareve për votimin e Qeverisë së re.
Pra ish-krye kuvendari e pranoi se nuk i kanë numrat e mjaftueshëm, prandaj edhe janë në pritje të partnerëve qeverisës. Për këtë arsyeje edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti i kishte dërguar ftesë për takim konsultativ liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Por që i njëjti me një status në rrjetin e tij social iu përgjigj negativisht kësaj oferte.
Si opsion tjetër është përmendur edhe ai bashkëqeverisjes ndërmjet deputetëve të partisë Nisma për Kosovën të drejtuar nga Fatmir Limaj me Lëvizjen Vetëvendosje për t’i hapur rrugë krijimit të i institucioneve të reja. Deri më tani këto pretendime kanë mbetur vetëm spekulime. Ndërkohë, ish-Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka pohuar se megjithë mbështetjen e tri votave të kësaj partie, përsëri është e pamundur të kalohen pengesat procedurale, sepse mungojnë edhe tri vota të partive minoritare jo serbe, të cilat sipas partisë në pushtet kanë vendosur kushte absurde dhe irracionale.
Mbetet të shihet se a do të tejkalohen nesër këto pengesa? Deri më tani është përmendur skenari se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk i siguron votat mjaftueshme për Qeveri, do të tentojë ta bllokojë që në fillim këtë proces, duke mos e nominuar kandidatin e saj. Ndonëse, njohës të çështjeve kushtetuese kanë pohuar se një sabotim të tillë ajo nuk mund ta bëjë pafundësisht. Sepse askush nuk ka të drejtë ta mbaj peng fatin e institucioneve pa afat.
Mirëpo, nëse tash jemi në situatën kur Lëvizja Vetëvendosje e nominon përfaqësuesin e saj, por nuk i merr votat e mjaftueshme, atëherë është opozita ajo që po e saboton konstituimin e Kuvendit. Dhe këtë të drejtë nuk mund t’ia uzurpojë të parës askush. Madje një bllokadë e tillë është vetëm në interes të Lëvizjes Vetëvendose. Sepse do të vazhdonte praktika e deritanishme e Qeverisë në detyrë, por me Kuvend jo funksional.
Hipotetikisht, opozita ka shansa ta fitojë këtë pozitë vetëm nëse eventualisht partia fituese e zgjedhjeve tenton ta mbaj të bllokuar atë. Përndryshe, ai vend mund të mbetet vakant dhe formimi i institucioneve të reja të zvarritet deri në zgjedhjet reja të jashtëzakonshme për shkak të dështimit për ta funksionalizuar aktualin. /TV Arbëria