Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Ftesa e Kurtit për LDK-në, “dardhë me bisht”, thotë Kasolli

Ftesa e Kurtit për LDK-në, “dardhë me bisht”, thotë Kasolli

Analisti politik Afrim Kasolli ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, duke thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po tenton të paraqitet si një figurë konsensuale në një kohë kur, sipas tij, vendi ka nevojë për unitet.

Në Dukagjin, Kasolli tha se përpjekja e Lëvizjes Vetëvendosje për të ftuar partitë opozitare në procesin e formimit të institucioneve, duhet parë në një kontekst më të gjerë.

Sipas Kasollit, Kurti po përpiqet të krijojë përshtypjen para opinionit publik se është në kërkim të bashkëpunimit, në një kohë kur e akuzon Serbinë për agresivitet të paparë për të penguar konstituimin e institucioneve të Kosovës.

“Ai deklaroi se Serbia nuk ka qenë kurrë më tepër agresive për ta penguar konstituimin e organeve të Kosovës. Dhe në këtë mënyrë Albin Kurti dëshiron të shfaqet para opinionit si një figurë konsensuale, në kohë kur më së shumti i nevojitet vendit. Dhe ta krijoj një argument tjetër se partitë opozitare me vetëdije apo pavetëdije vepruan në sinkron me interesat e Serbisë për të sabotuar krijimin e institucioneve të Kosovës. Pra këtë ftesë dhe këtë ofertë të partisë fituese ndaj partive opozitare duhet ta shohim edhe ne këtë dimension..”, ka thënë Kasolli në një linjë direkte në FIVE.

Krahas kësaj, Kasolli thekson se qëndrimet e ndryshme të shfaqura nga LVV ditëve të fundit krijojnë amulli rreth faktit nëse kjo parti vërtet ka siguruar shumicën parlamentare për të formuar qeverinë e re.

“Tri qëndrim aktualisht janë shpalosur nga LVV-ja, e që krijojnë dyshimet se realisht mund t’i kenë numrat. Sepse pamë dje pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ish-kryetari Konjufca deklaroi se janë në kërkim të një partneri për koalicion qeveritar, edhe partitë shqiptare, sepse nuk i kanë numrat. Ndërkohë pa kaluar shumë kohë ministria në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu deklaroi që ose qeveria do të përbëhet nga LVV-ja ose do të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë sot në ditën e regjistrimit të deputetëve, të njëjti për të krijuar një lloj optimizmi në një farë mënyrë deklaruan se i kanë numrat. Janë tri qëndrime të ndryshe, duke mos përjashtuar ftesën për LDK-në për konstituim të organeve.

Pra janë tri qëndrime të ndryshme, të cilat krijojnë një lloj konfuzioni se vështirë mund të thuhet se LVV i ka numrat e mjaftueshëm. Duke marrë parasysh faktin se disa deputetë të partive minoritare jo-serbe kanë vënë parakushte politike para se ta votojnë një qeveri të udhëhequr nga Kurti…”, ka shtuar Kasolli.