Sot, në Prishtinë është hapur edicioni i katërt i Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, një ngjarje që synon promovimin e Kosovës si një destinacion me potencial të lartë turistik.
Panairi ka mbledhur përfaqësues nga sektori i turizmit vendor dhe ndërkombëtar. Derisa qëllimi kryesor i këtij edicioni është forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në fushën e turizmit, si dhe nxitja e investimeve në këtë sektor në rritje.
Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, gjatë hapjes së panairit theksoi zhvillimin e jashtëzakonshëm që ka shënuar kjo ngjarje që nga edicioni i parë/
Ai shtoi se vetëm në vitin e kaluar turizmi në Kosovë ka shënuar një rritje prej 36.8%, krahasuar me vitin paraprak, duke theksuar se sektori është në rritje të qëndrueshme dhe me ndikim të madh në ekonominë vendore.
Në anën tjetër ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, nënvizoi rëndësinë strategjike të turizmit për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili theksoi përkushtimin e Prishtinës për të krijuar një ambient më të favorshëm për zhvillimin e turizmit.
Gjatë fjalës së tij në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, zëvendësdrejtori i TURSAB-it Davut Günaydin, bëri thirrje për një angazhim më të madh të sektorit turistik turk ndaj Kosovës.
“Ne nuk e dimë saktësisht numrin e turistëve që vijnë në Kosovë. Të gjithë turqit, mos e shmangni Kosovën. Mos e anashkaloni Kosovën. Duhet ta zgjidhim këtë çështje. Duhet të punojmë së bashku. Duhet ta marrim këtë mision. Ndoshta mund t’i dërgojmë këtu (në Kosovë) të gjitha mundësitë e botës. Në fakt, astronomia është e shkëlqyer. Vendet historike janë të shkëlqyera. Spitalet janë të shkëlqyera. Çdo gjë është e shkëlqyer. Sigurisht që duhet të punojmë së bashku. Dhe unë kam nisur këtë. Dhe jam shumë i emocionuar. Sepse ka shumë gjëra interesante për Kosovën”, tha ai, shkruan KosovaPress.
Panairi u organizua nga Unioni i Turizmit i Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe nën përkujdesjen e Komunës së Prishtinës.
Panairi mbahet më 10 dhe 11 prill.