Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka folur mbrëmë për refuzimin e ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit për takime konsultative lidhur me formimin e qeverisë së re.
Quni ka theksuar se LDK nuk mund të përgjigjet pozitivisht ndaj një ftese formale, pa u adresuar më parë ofendimet e shumta që, sipas tij, Kurti ka bërë ndaj partisë dhe figurave të saj.
“Nëse në një moment deliriumi, mbi dozimit me adrenalinë, fitore e të tjera, thotë diçka për të cilën nuk e ka menduar mirë… le të kërkojë falje – shumë burrërore do të ishte. Ai e ka fyer një pjesë, themi shumicën e kombit”, ka deklaruar Quni.
Quni ka kujtuar gjithashtu deklaratat e mëparshme të Kurtit, ku ai i kishte quajtur përfaqësuesit e LDK-së si bashkëpunëtorë të Serbisë, sabotues, madje edhe bashkëpunëtorë të Radoiçiqit dhe Listës Serbe.
“Ai duhet të rrëfehet mirë, të reflektojë, të kërkojë falje dhe të betohet për të ardhmen e Kosovës me forca të përbashkëta. Kur t’i kryejë këto, natyrisht që do ta rishqyrtojmë vendimin tonë,” ka theksuar ai.
Kujtojmë se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka refuzuar takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për konsultime rreth formimit të qeverisë së re.
Ndërsa Nënkryetarja tjetër e e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se LDK’ja asesi nuk qeverisë me Vetëvendosjen, duke shtuar se për këtë ka unitet në parti.
Bajrami tha se këtë qëndrim e kanë pasur edhe para fushatës e gjatë fushatës.
“Ne kemi pasur qëndrim të qartë. Para, gjatë dhe pas fushatës – që LDK nuk shkon në koalicion me Vetëvendosjen. Është një situatë komplet ndryshe, janë disa faktorë që kanë sjellë në vendim të tillë. Ne kemi përvojë koalicioni me VV-në. E kemi parë edhe pastaj keqqeverisjen e VV në krjet mandatin. Progres asnjë fushë, asnjë projekt. Përpjekjet e tyre për autokraci”.
Sipas Bajrami, hendekun e ka krijuar VV’ja me gjuhën e ofendimet gjatë fushatës e ditën e zgjedhjeve.
“Linçimi dhe denigrimi që na e kanë bë…ata kanë edhe kanë ofenduar elektoratin, mbi 170 mijë votues të LDK-së. Krejt këto e kanë bë të tejkalueshme, që ne asnjë mënyrë nuk mund të qeverisim me ta. Hendekun e ka krijuar vetë Vetëvendosja…Kemi unitet sa i përket Vetëvendosjes, ka qenë edhe zotim i yni elektoral…që ne nuk mund të assesi të qeverisim me ta”, tha ajo.