Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > A do ta “zë rryma” politikisht Albin Kurtin

A do ta “zë rryma” politikisht Albin Kurtin

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Javën e kaluar u mbajt një protestë qytetare në Prishtinë, kundër planeve të ZRRE-së për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike. Që nga shpallja e pavarësisë ajo ngjarje mund të konsiderohet si më suksesshmja sa i përket protestimit për çështjet sociale dhe ekonomike.

Një tjetër është paralajmëruar për nesër në ora 12, me të njëjtën moto “asnjë cent më shumë”. Llogaritë e akullta statistikore të zyrtarëve qeveritarë për t’u justifikuar prapa forcave impersonale të tregjeve globale, se kjo ngritje është pasojë e luhatjeve të të parave vetëm sa janë duke e shtuar zemërimin publik. Në fund të fundit, shteti nuk është vetëm dekor estetik nëse dështon t’i mbrojë nënshtetasit e tij nga trublenca të tilla.

Njohës të tregjeve energjetike kanë paralajmëruar për implikime fatale për jetën ekonomike të qytetarëve të zakonshëm, nëse ZRRE i plotëson kërkesat e kompanive që merren me distribuimin e energjisë elektrike sikur KEDS etj. Inflacion, shtrenjtim të rritjes së çmimeve të konsumit, zvogëlim të fuqisë blerëse etj janë përmendur vetëm si disa nga pasojat e një vendimi të tillë. Në tërë këtë zallamahi kryeministri në detyrë Albin Kurti ka qëndruar i heshtur. Kuptohet, në vend të tij kanë folur sejmenët politikë që e rrethojnë. Shumëkush mund të thotë mbase kjo heshtje e tij mortore ka të bëjë me vështirësitë që janë duke u bërë gjithnjë e më të hapura në formimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Një kthesë e çuditshme kjo, kur i njëjti si opozitar kishte paralajmëruar edhe krijimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për privatizimin e këtij sektori, me pretendimin se “KEK-u është i popullit dhe jo i pushtetit”.

Megjithatë, ky ndryshim i pozicioneve nuk është i rastësishëm. Sepse edhe po të dojë, Albin Kurti nuk mund të dalë ndaj kërkesave për fitim shtesë të kompanive si KEDS. Kjo e fundit siç dihet është pronë e kompanive turke Çalik Holding dhe Limak. Prandaj, për të parin sot më primare mbeten profitet e së parës, se sa mbrojtja e të drejtave ekonomike të qytetarëve të vendit që e drejton. Madje, në këtë drejtim ai shihet qartë se ka filluar t’i imtojë taktikat politike të presidentit serb Aleksandër Vuqic, që pasi e kishte fituar mbështetjen politike popullore, e ka kuptuar se qëndrueshmëria në maje të Olimpit politik nuk është e mundur pa plotësimin e kërkesave të pushtetit ekonomik ndërkombëtar. Mirëpo, në dallim nga i pari që e ka shndërruar vetën në aset të rëndësishëm të interesave ekonomike amerikane, kineze, evropiane dhe turke etj, Albin Kurti ka mbetur i kurthyer vetën si mirëmbajtës të interesave të KEDS-it.

Prandaj, po ashtu sikur presidentit serb që po e humb mbështetjen brendshme pas sigurimit të asaj të jashtme, e njëjta po i ndodh edhe kryeministrit të Kosovës.

Ndërkohë, kjo varësi e tij nga Republika e Turqisë, është edhe pasojë e keq kalkulimeve të tij gjeopolitike. Albin Kurti shpreson se ky shtet mund të jetë njëri prej aleatëve kryesorë të Kosovës për ta përballuar Serbinë. Kjo edhe është arsyeja që i njëjti jo shumë kohë më parë i kishte kundërshtuar me një pasion revolucionar investimet energjetike amerikane, kurse sot i përulur dhe në mënyrë tinëzare i mbron apetitet për përfitime të kompanive të lidhura me atë shtet. Ai mbase beson se në saje të disa aranzhmaneve tregtare me importimin e disa dronëve Bayraktar, mund ta përfitojë plotësisht zemrën e kryetarit Recep Tayyip Erdogan. Sidomos kur merret parasysh edhe fakti se kompania që merret me prodhimin e tyre është në pronësi, të dhëndrit të liderit turk, Haluk Bayraktar, i cili madje ka filluar të përmendet gjithnjë e më shumë, si një trashëgimtar politik i Presidentit Erdogan. Askush nuk mund ta mohoj faktin se sot ky shtet luan një rol kyç në çështjet e sigurisë ndërkombëtare. Madje edhe liderë evropiane, po kërkojnë gjithnjë e më shumë që ajo të ketë një peshë më të madhe në garantimin e sigurisë kontinentale. Ndikimi i Ankarasë zyrtare është evident edhe në Ballkanin Perëndimor. Mirëpo, po ashtu, nuk mund të mohohet as fakti se interesat ekonomike të Republikës Turke, janë minore në Kosovë në raport me ato në Serbi. Dhe pikërisht ky disbalanc flet për naivitetin gjeopolitik të kryeministrit Kurti. Sepse siç shkruante kohë me parë, mediumi Evropa e Lirë, në artikullin “Pesë fushat ku Turqia luan rol kyç në çështjet botërore” ky shtet mbetet “investitori më i madh në Ballkan, veçanërisht në Serbi. Ajo ka promovuar plane ambicioze për një autostradë Beograd-Sarajevë dhe ka hedhur ide për ndërtimin e dronëve të saj të famshëm në Serbi”.

Në këtë kontekst, sot Albin Kurti ndodhet në mes të dy pamundësive. Duke u pozicionuar kundër interesave të KEDS-it në mbrojte të shqetësimeve legjitime sociale dhe ekonomike të qytetarëve të Kosovës, ai ka frikë se do ta humb mbështetjen e aleatit të vetëm ndërkombëtar që pretendon se e ka. Ndërkaq, duke i mbrojtur interesat e së parës tashmë ka filluar ta humb mbështetjen qytetare. Prandaj, si duket ai po zihet gjithnjë më ngushtë nga rryma, edhe pse ia doli që t’i mund elektoralisht oponentët e tij.

Por kjo fitore zgjedhore nuk është asgjë përball humbjes shoqërore.