Gjatë fundjavës, ndërsa Elon Musk kritikonte ashpër në rrjetet sociale një nga këshilltarët kryesorë të Shtëpisë së Bardhë për planin tarifor agresiv të presidentit Trump, ai po i drejtohej drejtpërdrejt vetë Trumpit me thirrje për të ndryshuar kurs. Sipas burimeve, ndërhyrja e Musk deri tani nuk ka pasur sukses; Trump kërcënoi të hënën me tarifa të reja 50% mbi importet nga Kina, përveç atyre 34% të shpallura më herët, shkruan The Washington Post.
Musk postoi gjithashtu një video të ekonomistit të ekonomistit Milton Friedman, duke theksuar përfitimet e tregtisë së lirë. Përçarja e tij me Trump për një prioritet të rëndësishëm të administratës shënon një konflikt të madh me një nga mbështetësit më të mëdhenj financiarë të presidentit. Musk kritikoi ashpër këshilltarin tregtar Peter Navarro, duke vënë në dyshim aftësitë e tij. Navarro nuk komentoi.
Musk u shpreh edhe në një intervistë me Matteo Salvini, duke mbështetur krijimin e një zone të lirë tregtare SHBA-BE dhe lëvizjen e lirë të njerëzve mes dy kontinenteve. Ai ka qenë kundër tarifave që prej mandatit të parë të Trump dhe Tesla ka paditur administratën për tarifat ndaj produkteve kineze.
Megjithatë, Musk ka hezituar përballë kritikave nga e djathta ekstreme për qëndrimet e tij. Biznesmenë të afërt me të kanë lobuar kundër tarifave pranë administratës Trump, përfshirë nënpresidentin JD Vance. Investitori Joe Lonsdale tha se tarifat do dëmtojnë më shumë kompanitë amerikane.
Ndërkohë, Tesla po përballet me rënie të kërkesës dhe çmimit të aksioneve, që disa e lidhin me përfshirjen politike të Musk. Analisti Dan Ives e quajti situatën një “tornado F5” për markën Tesla, duke ulur vlerësimin për aksionet. Musk tregoi shenja pajtimi më vonë të hënën, ndërsa vëllai i tij Kimbal kritikoi tarifat si “taksa të përhershme mbi konsumatorët amerikanë”./kp