Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Inteligjenca artificiale dhe trupi

Inteligjenca artificiale dhe trupi

Shkruan: Afrim Kasolli

 

 

Për shekuj me radhë pushteti është definuar vetëm si strukturë shtypëse dhe dominuese ndaj masës së përgjithshme të njerëzve. Po ashtu me qëllim që të maskohet ky realitet, i pari e shfrytëzon aparatin ideologjik me synim që ata që i subordinohen të kontrollohen shpirtërisht dhe mentalisht. Mirëpo, kjo pandehmë ku pushteti ushtrohet vetëm nëpërmjet “shtrembërimit të vetëdijes” sipas filozofit të njohur francez Michel Foucalt nuk është e plotë dhe nuk e pasqyron si duhet vorbullën e këtij fenomeni. Për më shumë, ky mendimtar konstaton se si i tillë ai nuk është vetëm shtypës, ndalues dhe frenues, por edhe prodhues. Dhe për ta deshifruar matriksën e formave moderne të pushtetit, ai e injoron atë segment që në terma marksiste quhen si “superstruktura shoqërore dhe politike”, por e gjurmon gjeanologjinë e mikro-pushteteve, e të cilat kanë qenë vendimtare në formësimin dhe subjektivizmin e individit.

Në këtë kontekst, secili prej tyre është ushtruar duke i disiplinuar dhe integruar trupat njerëzore në kuadër të një rendi shoqëror.

Kështu në veprën e njohur “Dicipline and Punish” pushteti fillimisht merr jetë nëpërmjet disiplinimit dhe mbikëqyrjes. Pra, trupat janë përdorur si objekte dhe instrumente në mënyrë që të shndërrohen në qenie të bindura dhe të përdorshme. Me këtë rast, duke filluar nga shekulli 18-të e deri në mes të shekullit 20-të, “regjimet disiplinare” në shkolla, spitale, fabrika, familje, etj janë funksionalizuar nga një investim i sofistikuar i pushtetit mbi trupin etj. Ndërkaq, krahas këtij modeli që më shumë individualizon, në ligjëratat e mbajtura në College De France” e të cilat janë përmbledhur në librin “Shoqëria duhet të Mbrohet”, Michel Foucalt i analizon strukturat e bio-pushtetit. Dhe këto të fundit, realisht ushtrohen mbi “trupin si lloj, si specie, apo rreth trupit si vend i zhvillimit të mekanikeve të së gjallës dhe mbështetje e proceseve biologjike”. Thjesht këto instrumente ndryshe ai i quan si mekanizma rregullatorë të popullsisë, e të cilët kanë qenë jetikë në zhvillimin e kapitalizmit, ngase ky i fundit nuk mund ta siguronte “rritjen dhe shtrirjen e vet të qëndrueshme pa futjen e kontrolluar edhe të trupave në aparatin prodhues, dhe pa përshtatjen e fenomeneve të popullsisë me proceset ekonomike”.

Pra shoqëri të ndryshme kanë nevojë për lloje të ndryshme të trupave. Ndërkohë, duke marr parasysh këtë ndërthurje ndërmjet pushtetit dhe trupit, sot gjithnjë e më shumë po shtrohet dilema se çka na flet ajo për raportin e këtij të fundit me Inteligjencën Artificiale. Sepse siç konstaton Michel Foucalt, jo vetëm “njohja është instrument i pushtetit, por edhe pushteti e prodhon njohjen dhe subjektet e reja”. Me këtë rast, sot kompaninë e mëdha teknologjike jo vetëm që veprojnë mbi ne, por ato edhe na konstruktojnë neve si subjekte njerëzore. Ato i prodhojnë deri tek dëshirat, prirjet dhe shtytjet tona.

Pikërisht duke u bazuar në këtë relacion, Mark Coeckelbergh, në librin më të ri, “The Political Philosophy of AI: An Introduction”, i gjurmon tentakulat e kësaj bote mbi trupat tanë. Fillimisht ajo funksionon nga grumbullimi i të dhënave. Kështu sipas këtij autori,“shoqëria e IA” tashmë ka nevojë për asi trupa që duhet të jenë të “vetëm si të dhëna, kuantifikuar dhe imobilizuar, me qëllim që këto të dhëna nëpërmjet interaksionit me telefonat e mençur dhe mjetet tjera të grumbullohen”. Në këtë linjë, vazhdon ky autor ushtrohet pushteti i Inteligjencës Artificiale mbi ne. Sepse kur ne përdorim aplikacione të ndryshme nëpërmjet pajisjeve të sipër cekura teknologjike, në nuk jemi të çtrupëzuar në atë moment duke përdorur vetëm funksionet “mentale” dhe kognitive”. Por ne i lëvizim duart dhe trupin e tonë. E ku fundit pjesërisht është i imobilzuaur etj , çfarë ndikon qa nga ato lëvizje të domosdoshme trupore të ushtrohet pushteti i sipër cekur.

Natyrisht, edhe në këtë rast këtë raport nuk duhet kuptuar në mënyrë të njëanshme, por po ashtu kemi të bëjmë më një ndërveprim. Kështu nga kjo bashkë pjesëmarrje me këtë formë të pushtetit ne edhe konstituohemi si subjekte, si qytetar dhe si identitet. Për më shumë, në këtë mënyrë formësohet një pjesë e veçantë e vetës dhe subjektivitetit tonë. Dhe kështu ne edhe fillojmë ta kuptojmë dhe vlerësojmë vetveten nga ky dimension i tekno-performancës.