Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Pasiguri qeveritare apo lojë taktike e kryeministrit Kurti ftesa për takim ndaj partive opozitare

Pasiguri qeveritare apo lojë taktike e kryeministrit Kurti ftesa për takim ndaj partive opozitare

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ka ditë që eksponentë të partisë fituese të zgjedhjeve e kanë siguruar opinionin dhe mbështetësit e tyre, se tashmë nuk kanë nevojë të shqetësohen e të trazohen për krijimin institucioneve të reja të dalura nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas tyre, Albin Kurti i ka siguruar numrat e mjaftueshëm për votimin Qeverisë Kurti 3. Të njëjtit janë duke pritur vetëm datën caktuar për konstituimin e organeve të reja dhe Lëvizja Vetëvendosje së bashku më partnerët e saj do të konfirmohet edhe procduralisht si drejtuese e pushtetit të ri. Madje, kohën e fundit mediat kanë raportuar edhe për një darkë politike në mes të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe liderit të partisë Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj. Mirëpo, befas në mes të kësaj sigurie absolute dhe entuziazmi triumfalist, dje “Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka akuzuar Serbinë se po tenton që të sabotojë themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë të Kosovës të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit”.

Sipas njoftimit zyrtar të këtij entiteti “Serbia po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”. Nuk ka dyshim se Serbia ka interes ta mbaj peng fatin politik të Kosovës. Sa më fragjile situata në Kosovë aq me mirë për Serbinë. Qëndrimet e saj armiqësore janë të ditura botërisht. Mirëpo, nuk bënë të përjashtohet fakti se edhe kryeministri Kurti, po ashtu tenton që ta vazhdojë ekspozimin e vetvetes si i vetmi lider që Serbia ka interes ta pengojë të jetë në pushtet. Sepse sipas tij, sukseset e shtetit të Kosovës në çmontimin e mbetjeve dhe trashëgimisë serbe në Kosovë, sidomos në pjesën veriore, po e bëjnë atë shtet gjithnjë e më nervoz. Prandaj, pasi ka dështuar në disa prej sulmeve subversive si dhe nëpërmjet interferimit në zgjedhjet e 9 shkurtit, në fund nuk i ka mbetur asnjë mjet tjetër në dispozicion, pos që duke i shantazhuar dhe joshur deputetet partive jo serbe minoritare ta realizojë skenarin e saj. Ndërkohë, ky narracion po kultivohet në një kohë kur i njëjti ka filluar t’u bëjë ftesa edhe partive opozitare më qëllim të formimi të Kuvendit dhe Qeverisë.

Madje një tillë vetëm sa ia ka nisur Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën thuhet se “me qëllim të konstitutimit të plotë të Kuvendit të Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së qeverisë, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjtejn, ,e datë 10 prill, në orën 09:00 ose 14:00”. Është e pritshme që një të tillë t’ua dërgojë edhe partive tjera. Fakti se ky hap po ndërmerret një ditë pas konstatimeve të siper cekura, te Këshillit të Sigurisë së Kosovës, mund të jetë një lëvizje taktike e nxitur nga tri motive kryesore.

E para që si fitues i zgjedhjeve Kurti të shfaqet si një lider i gatshëm për konsensus edhe më partitë tjera, përkundër faktit se i njëjti natën e përfundimit të procesit zgjedhor i kishte ofenduar konkurrentet e tij në termat më të mundshëm brutal. Por nuk përjashtohet as skenari që edhe ta përdor këtë situate si mjet për ta shtuar presionin dhe satanizimin ndaj partive opozitare, ku në të njëjtën kohë kur Serbia me të gjitha mjetet po mundohet ta pamundësojë konstituimin e institucioneve të reja, po ashtu edhe të parat kanë rënë pre e kësaj agjende dhe në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, po veprojnë në sinkron me strategjitë e luftës hibride kundër shtetit tonë. Natyrisht, driblime të tilla po ndodhin në një kohë kur frustrimi dhe pakënaqësia qytetare me temat sociale dhe ekonomike, sikur se me rastin rritjes së çmimit të energjisë elektrike, po shtohet dita e ditës. Fakt ky që e dëshmoi edhe protesta e së shtunës.

Prandaj, me qëllim të margjinalizohen tema të tilla është pritshme që Kurti fokusin e opinionit publik ta riorientojë në ato kauza që shpreson se i zotëron më së miri. Pasi i njëjti po dëshmohet dita ditës se më shumë se shqetësimet ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Kosovës, si interes i ka fitimet e kompanive ndërkombëtare kundër të parëve. Dhe maskimi i këtij realiteti sot po ashtu është interes politik dhe ideologjik i partisë në pushtet./TV ARBËRIA./