Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Më 6 maj festohet datëlindja e Skënderbeut në Prishtinë

Më 6 maj festohet datëlindja e Skënderbeut në Prishtinë

Në vazhdën e traditës së përvitshme, më 6 maj në Prishtinë, do të festohet datëlindja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.

Kjo festë madhështore do të shënohet me një program të pasur kulturor dhe artistik.

Organizata Shqiptaria fton grupet artistike, shoqatat kulturore dhe klubet nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë.

Deri më tani, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre grupe dhe shoqata nga arbëreshët e Italisë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut,  Shqipëria, Kosova

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u lind më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit.

Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri 1443, kur u rikthye në Krujë. Në vitin 1444, ai ka mbledhur të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku është vendosur unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.

Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë osmane, në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që ka pasur si kryeqendër Krujën.

Heroi kombëtar do të njihej për luftën e tij të paepur në një vend kyç mes lindjes dhe perëndimit.

Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë./kp