Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Sveçla: 16 persona në katër automjete me targa serbe u ndaluan, 4 prej tyre oficerë të shërbimeve serbe të sigurisë

Sveçla: 16 persona në katër automjete me targa serbe u ndaluan, 4 prej tyre oficerë të shërbimeve serbe të sigurisë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se dje dhe sot janë ndaluar 16 persona “të ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë”.

Struktura e të ndaluarve ishte “e kombinuar”, tha ai, “ku katër prej tyre rezultuan të jenë oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë së Serbisë”.

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, shkroi Sveçla në një postim në Facebook.

Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, ai tha se u ndalua në Gjakovë. “Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe. Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”.

Më tej ai tha se se “hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojevic, nofka “Gandi””.

“Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojevic, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanovic, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe.  Organet e sigurisë do të vazhdojnë hetimet dhe do të informojnë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme. Ftojmë qytetarët që të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet tona të sigurisë”, shkroi ai.