Një grup serbësh lokalë janë nisur sot në këmbë drejt Serbisë duke mbajtur flamuj dhe parulla nacionaliste kundër shtetit të Kosovës.
Ata do të marrin pjesë në tubimin e thirrur nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq nga ora 19:00, më 12 prill.
Eksperti i sigurisë Avni Islami thotë se serbët lokalë po detyrohen të marrin pjesë në tubime të tilla nën kërcënimin e strukturave kriminale të lidhura me Listën Serbe dhe Milan Radojçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjska dhe vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.
“Pjesëmarrja e tyre nuk është zgjedhje e lirë. Është rezultat i frikës, presionit dhe manipulimit të ushtruar për vite me radhë nga grupet kriminale që kontrollojnë jetën politike dhe sociale të serbëve në veri të Kosovës,” deklaron Islami.
Ai thekson se serbët lokalë kërcënohen me ndërprerje të ndihmave, izolim dhe forma të tjera shantazhi nëse nuk iu përgjigjen ftesave në aktivitete politike.
“Nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Edhe në protestën e fundit më 15 mars para presidencës në Beograd, të njëjtët individë ishin të pranishëm – disa me maska – të paguar me nga 100 euro në ditë nga Radojçiq,” shton ai, raporton KosovaPress.
Këta individë janë të njëjtit që janë parë më parë në veri të Kosovës gjatë sulmeve ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe mediave.
Islami thekson se gjithnjë e më shumë qytetarë serbë në Kosovë po e kuptojnë manipulimin e Beogradit.
“Prej kohësh u premtuan 20.000 dinarë (170 euro) në këmbim të votës për Listën Serbe, por këto para nuk iu janë dhënë kurrë. Po ashtu, premtimet për punësime dhe beneficione kanë rezultuar boshe, gjë që ka sjellë pakënaqësi dhe protesta para strukturave ilegale serbe në Kosovë. Një konkurs i tillë së fundmi u anulua nën presionin e protestuesve,” përfundon Islami.