Shkruan: Agron Hoti
Asgjë s’ka falas në këtë jetë. SHBA për ta izoluar dhe mundur komunizmin duhej që t’i lidhte ekonomitë kryesore të botës me ekonominë e saj. E lidhja nënkuptonte këtë: SHBA duhej ta hapte tregun e saj për importet e huaja, ky ishte çmimi që duhej të paguante për ta izoluar dhe mundur komunizmin e drejtuar nga BRSS.
E para që u lidh me SHBA ishte ekonomia e Meksikës, Kanadasë dhe Amerikës Latine, e dyta ishte ajo e BE-së, e treta ishte ekonomia e Japonisë, Koresë dhe Azisë Juglindore dhe e katërta ishte ekonomia e Kinës duke filluar nga vitet e 70-ta. Asgjë nuk ka ndryshuar as sot. Të gjitha ekonomitë e lartëpërmendura po e rrisnin eksportin në SHBA, ndërkohë që kjo po i bënte gjithnjë e më të varura nga ekonomia amerikane dhe po i largonte nga BRSS dhe komunizmi.
Nuk duhet harruar asnjëherë që SHBA pas Luftës së Dytë Botërore ishte eksportuesi më i madh në glob, por kjo po shkonte duke rënë, për shkak që SHBA po e shtyente kapitalizmin përpara, ku një pjesë e ekonomive kryesore globale po përfitonin qoftë edhe duke i rritur eksportet e tyre në SHBA.
Kjo strategji amerikane u tregua e suksesshme, sepse komunizmi u mposht dhe fitoi ekonomia amerikane bashkë me ekonomitë kryesore të botës.
Por, me kalimin e kohës, importet amerikane po rriteshin në kurriz të rënies së eksporteve të saj. Në vitin 2022 eksportet amerikane ishin 2.1 trilionë dollarë, kurse importet 3.2 trilionë dollarë. E importi në SHBA po rritej pikërisht nga Kina, Evropa, Japonia, Koreja Jugore, Azia Juglindore (p.sh. Vietnami), Meksika, Kanada, etj. Marrë në përgjithësi eksportet e SHBA-së shkojnë në 10% të GDP-së, kurse importet në 15% të GDP-së.
Meqë komunizmi ka rënë dhe meqë ekonomitë e botës kanë ecur shumë përpara, atëherë SHBA është e interesuar që t’i zvogëlojë importet, për të nxitur prodhimin e brendshëm përmes të cilit do ta reduktonte borxhin super të lartë publik dhe do t’i jepte shtysë ekonomisë së saj në një botë gjithnjë e më konkurruese.
Mos të harrojmë që, edhe sikur bota t’i kundërpërgjigjet SHBA-së me tarifa tregtare, ekonomia e SHBA-së preket më së paku, kjo për faktin se SHBA eksporton vetëm 10% të GDP-së dhe shumicën e mallrave dhe shërbimeve i eksporton në Meksikë dhe Kanada, me të cilat ka marrëveshje të tregtisë së lirë. Prandaj, në këtë kuadër duhet kuptuar politikat aktuale tregtare të SHBA-së.