Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po shndërrohet Famtir Limaj në shpëtim të opozitës?

A po shndërrohet Famtir Limaj në shpëtim të opozitës?

Shkruan: Afrim Kasolli

Mediumi Kanal 10, dje në orët e vona të natës shkruante për një takim të përbashkët ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarit të partisë Nisma për Kosovën, Famtir Limaj.

Kjo darkë sipas burimeve të mediumit në fjalë, ishte aranzhuar më qëllim të dakordimit për një koalicion të përbashkët qeveritar ndërmjet këtyre dy subjekteve e politike. Kështu në mungesë të votave të Listës Serbe, atëherë tre deputetet e kësaj partie, së bashku me ato të minoriteteve tjera jo serbe, do ta siguronin numrin magjik të 61 deputetëve që nevojiten për votim të Qeverisë së re të Kosovës.

Kuptohet, ky konfiguracion i ri i pushtetit është fragjil dhe si tillë i ngjason një martese politike për interesa momentale, diçka sikur në vitet ’90, kur shumë shqiptarë që emigronin nga Kosova në botën perëndimore, thuhet se krijonin lidhje kontraktuale martesore me gra më të moshuara, vetëm me qëllim që ta fitonin leje qëndrimin në vendin ku kishin emigruar. Në terminologjinë popullore lidhje të tilla formale në atë kohe quheshin vetëm si “martesë për letra”. Por duket edhe se bashkëqeverisja e Nismës me Lëvizjen Vetëvendosje, po bëhet e “domosdoshme” për të gjitha forcat politike parlamentare në vend. Madje, në këtë mënyrë ajo po shndërrohet në shpëtim edhe për partitë opozitare.

Në rrethanat aktuale shihet qartë se sidomos dy partitë më të mëdha opozitare nuk janë gatshme as për zgjedhje të reja, e as për ta formuar vetë Qeverinë, por as ta ndajnë pushtetin me partinë fituese të zgjedhjeve. Sikur ato ta kishin njëmend, sidomos krijimin e një koalicioni të përbashkët qeveritar pa partinë fituese, tashmë do të ishte bërë publik harmonizimi i programeve të tyre. E jo tallja me qytetarët sikur në rastin liderit të PDK-së Memli Krasniqi, se janë pritje të dështimit të Albin Kurti dhe se të njëjtit për 48 orë, do t’ia japin vendit institucionet e reja. Apo parakushtet politike të kryetarit LDK-së, Lumir Abdixhiku që kërkonte siguri për mandat të plotë qeveritar. Duke treguar në mënyrë të hapur se nuk ka dhe nuk mund të ketë Qeveri të re, pa partinë fituese të zgjedhjeve.

Prandaj PDK dhe LDK, intimisht janë duke e pritur me padurim këtë exit strategji të ofruar nga Fatmir Limaj. Me këtë veprim ky i fundit, po shndërrohet në një lloj “engjëlli mbrojtës” për gjendjen pa shtegdalje ku gjenden të parat. Kuptohet, një skenar i tillë nuk është se nuk i shkon për shtati as liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Është e vërtetë se i njëjti disa herë është zotuar se nuk do ta ndajë pushtetin as me partitë e “ish-regjimit të vjetër” dhe as më Listën Serbe. Mirëpo, siç e kam pohuar disa herë në një ambient më retorikë hipernacioanliste, sakrifikimi i premtimit të parë për ta mbrojtur të dytin do të mirëkuptohej shumë më shumë nga qytetarët e Kosovës dhe militantët partiakë. Kjo është gjendja. Pavarësisht faktit se sforcimi i percepecionit politik ndërkombëtar se partia që i ka fituar shumicën votave të qytetarëve serbë të Kosovës vazhdon të jetë e përjashtuar nga institucionet qendrore, nuk do të kalojë pa kosto të jashtme diplomatike. Mirëpo, fatura e këtij opsioni mund të vije pak më vonë. Për një kohë mjafton entuziasmi për çlirimin e politikës shtetërore nga Lista Serbe, si mbetje e Aleksandër Vuqicit.

Por në këtë kontekst, shtrohet pyetja, a mos me këtë veprim Famtir Limaj, po i ngjason legjendës së Rozafës, që po sakrifikohet për të gjithë të tjerët, për mbajtur në këmbë këtë urë politike? Pa dyshim se jo. Sepse edhe ai nuk është imun ndaj interesave të tij. Fillimisht, i njëjti po i shmang zgjedhjet e reja, të cilat nuk do të ishin në asnjë variant të përshtatshme për të. Kurse përfitimet tjera politike mbetet të shihen pasi të bëhen të ditura detajet e këtij riafrimi politik. Sepse si Kurti ashtu edhe Limaj, së bashku me Ramush Haredninajn, e kishin pasur një të tillë nga opozita kundër pushtetit të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit. Mirëpo, si duket në pushtet kanë vendosur të bashkudhëtojnë pa partnerin e tretë të tyre. /TV Arbëria