Shkruan: Afrim Kasolli
Jam i vetëdijshëm se stërpërdorimi i shprehjes “ra ky mort e pamë” për të përshkuar situata me të cilat kemi bashkëjetuar me to, por që nuk kemi qenë të vetëdijshëm, mund të shndërrohet në klishe, mirëpo nuk ka përshkrim më adekuat për ta pasqyruar atë që ndodhi dje pas vendimit të presidentit të SHBA-ve, Donlad Trump, për të vendosur tarifa tregtare mbi shumicën e vendeve të botës. Me këtë rast, nuk u përjashtua as Kosova. Tash e tutje mallrat “Made in Kosovo” që do të eksportohen në SHBA, do të detyrohen të paguajnë 10 për qind tarifa tregtare.
Sidoqoftë, si pasojë e këtij zhvillimi, u kuptua se edhe Kosova e vogël. e ka pasur guximin e madh, që deri më tani t’i gjobit mallrat amerikane me një vlerë prej 10 për qind. Me anë të një reagimi për shtyp Oda Amerikane e Kosovës, tregoi se vendi ynë që një kohë të gjatë ndodhet në luftë tregtare ndaj atij shteti nga i cili varet ekzistenca jonë politike dhe shtetërore. Me këtë rast ky entetiet kërkoi që urgjentisht të suspendohet kjo tarifë shtesë doganore. I “menjëhershëm” ishte reagimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo kërkoi, nga Qeveria e Kosovës, që pa humbur kohë ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me arsyetimin se “një hap i tillë do të shërbente për thellimin e marrëdhënieve ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë”. Dhe në këtë mënyrë do të dërgohej mesazhi se “Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara”.
Pra pas katër viteve në pushtet dhe bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, vetëm dje e para e shtetit u kujtua se duhet të suspendohet ky trajtim jo i barabartë i SHBA-ve nga Kosova. Dhe se është në “kompetencën të saj si përfaqësuese e Politikës së Jashtme t’i mbrojë interesat strategjike shtetërore”. Fatkeqësisht ky reagim për këtë detyrim vetëm në fund të mandatit që e gëzon dëshmon se me këtë heshtje tinëzare të deritanishme ajo i paska cenuar këto raporte jetike. Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, në një kundërpërgjigje ndaj kësaj thirrje presidenciale, deklaroi se “ajo është bërë pas përfundimit zyrtar të orarit të punës, dhe se që nga viti 2023, gjatë vizitës në Uashington bashkë me zëvendës kryeministrin Besnik Bislimi i kanë takuar përfaqësues të Departamentit të Tregtisë, me të cilët kanë diskutuar ndër tjera edhe temën e një marrëveshjeje për tregti të lirë me ShBA-të”. Mirëpo, siç duket për këtë Qeveri kjo çështje nuk ka qenë primare. Duke qenë një temë që mund të përdoret si kauzë për përftime politike momentale, në këtë rast nuk la pa u deklaruar as Partia Demokratike e Kosovës. Nënkryetarja e këtij subjekti politik ka shkruar se “tarifat që sot ekzistojnë ndaj produkteve amerikane janë më shumë një mbetje e së kaluarës administrative nën UNMIK, sesa një vendim i një Kosove sovrane.
Këto tarifa nuk reflektojnë frymën e aleancës sonë dhe nuk i shërbejnë së ardhmes që duam të ndërtojmë. Me ne në krye të qeverisë, ato tarifa do të hiqen menjëherë”. Nga ky reagim mund të kuptohet se që nga shpallja e pavarësisë Kosova e paska trajtuar Amerikën me optiken e UNIMIK-ut. Pra një parti që e ka drejtuar Qeverinë dy herë dhe po ashtu ka qenë në pushtet edhe dy herë tjera e ka ndare tortën e pushtetit me anë të koalicioneve qeveritare, premton se do ta zhbëjë atë solidaritet të Kosovës me UNMIK-un kundër Amerikës, vetëm tash pasi sipas të gjitha gjasave do të vazhdojë të jetojë në kabinetin e hijes opozitare. Në këtë linjë, mund ta marrim edhe reagimin e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haredinaj, i cili nga pozita e kryeministrit të Kosovës, ka mundur me një të rënë të lapsit ta bëjë këtë që sot ia kërkon Albin Kurtit. Ky reagim postfestum në sinkron i skenës politike ndaj këtij skandali, e shpërfaq edhe një herë më mirë se asgjë tjetër hipokrizinë e së parës. Fakti se këto parti, herë bashkë e herë veçmas, kanë qenë të gjitha deri më tash në pushtet, si dhe e kanë shndërruar Kosovën në neokoloni ekonomike të Serbisë dhe në të njëjtën kohë ka kanë mbajtur në pushtet tarifa shtesë kundër SHBA-ve, tregon nënshtrimin e tyre ndaj interesave momentale ekonomike kundër atyre shtetërore.
Kam qenë dhe vazhdoj të jem kritik, duke u bazuar në disa analiza ndërkombëtare, ndaj arsyetimi ekonomik të presidentit Trump për luftën e tij tregtare, se në këtë mënyrë Amerika po çlirohet dhe se ajo nuk ka përfituar asgjë nga rendi ekonomik ndërkombëtar, i inauguruar nga vetë Uashingtoni këtu e 80 vjet me parë. Kjo retorikë më shumë po përdoret për përfitime të brendshme populiste. Sepse Amerika nuk është se nuk ka përfituar nga kjo koniunkture globale. Për më shumë, ajo vazhdon të ketë supermaci ekonomike planetarenë atë që quhet si ekonomi e shërbimeve, zhvillimet teknologjike dhe revolucionin digjital. Me këtë rast, këto zhvillime kanë krijuar përçarje të brendshme shoqërore dhe politike dhe janë shndërrua në burim të pabarazive ekonomike. Paradokslisht, pikërisht ai model që është shndërruar në burim të forcës së jashtme amerikane po e dobëson atë nga brenda. Por që modeli luftës tregtare të inauguar nga dje sipas shumë analistëve nuk pritet t’i korrigjojë këto patologji.
Mirëpo, kur e sheh njeriu se edhe vende si Kosova, ekzistenca e së cilës garantohet nga ajo e SHBA-ve, kanë pasur trajtim jo simetrik ekonomik ndaj kësaj të fundit, nuk ka si mos të pajtohet politikisht me këtë nismë të re administratës Trump.